Home Uncategorized Hoxhaj: Kosova në 2014, njohjet edhe anëtarësimi në organizata

Hoxhaj: Kosova në 2014, njohjet edhe anëtarësimi në organizata

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka vazhduar vizitën e tij në Irlandë ku është takuar edhe me ministrin për Evropë, Paschal Donohoe, me të cilin kanë folur për agjendën evropiane të Kosovës, veçmas përfundimin e negociatave dhe nënshkrimin e MSA-së me Kosovën në pjesën e parë të këtij viti dhe çështjet që ndërlidhen me kushtëzimin e Serbisë për t’i përmbushur marrëveshjet e arritura me Kosovën.

Hoxhaj dhe Donohoe janë pajtuar edhe për ta nënshkruar MSA-në ndërmjet Kosovës dhe BE-së sa më shpejt që është e mundur dhe para zgjedhjeve që do të mbahen këtë verë për Parlament Evropian dhe institucione tjera të BE-së.

“Kosova është falënderuese ndaj Irlandës për ndihmën e dhënë që nga pas lufta. Raportet tona bilaterale janë të shkëlqyera edhe për dy arsye të tjera. E para se Kosova arriti marrëveshjen me Serbinë vitin e kaluar gjatë presidencës irlandeze, dhe e dyta Dublini është përkrahës i pa rezervë i Kosovës në përfundimin e shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në BE”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërkaq, ministri Donohoe ka ofruar mbështetjen e tij dhe të ministrisë që udhëheq në iniciativat përpara. “Ju siguroj se do ta keni mbështetjen e Irlandës sikurse deri më tani. Vendet tona të vogla kanë çfarë të mësojnë shumë nga njëra-tjetra. Do ta ushtrojmë të drejtën tonë për ta ndihmuar Kosovën në përmbylljen sa më të shpejt të MSA-së, ndihmën për aplikim dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë ministri irlandez, transmeton Telegrafi.

Hoxhaj ka mbajtur një ligjëratë në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane në Dublin (IIEA), para një audience të njohur politikanësh, akademikësh, diplomatësh dhe studiuesish për temën e “Fuqia e Mençur e Shteteve të Vogla: Qasja e Kosovës në Politikën e Jashtme”.

Ai po ashtu ka shpalosur ide dhe ka ndarë përvojën e tij për një koncept po aq të diskutuar në botën akademike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare për ekzistencën e vendeve të vogla dhe se si ato mund ta kapitalizojnë fuqinë që ka për t’u bërë një aktor i rëndësishëm në sistemin ndërkombëtar dhe jo vetëm të kontribuojnë çdo ditë për ta sendërtuar paqen.

Sipas Hoxhajt, katër janë elementet e politikës së jashtme të Kosovës si shtet i vogël i fokusuar në gjashtë vitet e fundit, e veçmas gjatë mandatit të tij si ministër i Jashtëm.

“Mundësia e jonë për të tërhequr njohje ndërkombëtare të shtetit më të ri gjithnjë duke pasur parasysh faktin se sot çështja e njohjeve të shteteve është më së paku e rregulluar dhe një e drejt mjaft konservative e shteteve sovrane. Në rastin e Kosovës nuk ka funksionuar një njohje globale me anëtarësim në OKB, por njohje veç e veç që e ka bërë rastin tonë sfidues dhe interesant. Kosova është përqendruar në tri nivele sa i përket lobimit për njohje duke përdorur edhe narracione të ndryshme. Qëllimi i parë kanë qenë kryeqytetet multilaterale si Nju Jorku, Brukseli, Gjeneva, Strasburgu e me radhë; së dyti, raporti me vendet e fuqishme dhe partnere të Kosovës si dhe vizita e takime individuale në shtete që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë Hoxhaj.

Më tej, ai ka shpjeguar edhe tri elementet e tjera si qëllime të politikës së jashtme sikurse mundësia e Kosovës për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë; mundësinë për t’i tejkaluar sfidat e një shteti të sapolindur; përqafuar agjendën euro-atlantike si dhe mundësinë për ta përmirësuar imazhin e vendit duke e shndërruar Kosovën nga një vend post-konfliktuoz në një mundësi potenciale për tërheqje të investimeve ndërkombëtare.

Ministri Hoxhaj i është përgjigjur edhe interesimit të shumtë të të pranishmeve. Ai ka prezantuar të arriturat e Kosovës në fushën e politikës së jashtme, si dhe zgjuarsinë e treguar në marrjen e njohjeve ndërkombëtare, në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe rajonale, në avancimin e perspektives euroatlantike, si dhe konsolidimin e përfaqësimit diplomatik të Kosovës jashtë vendit.

Pas përfundimit të vizitës në Irlandë, ministri Hoxhaj vazhdon turneun diplomatik në Paris të Francës ku gjatë ditës do të takojë politikanë e deputetë francez me agjendë të qartë qasjen e re të Kosovës sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. /RadioRINIA/

Previous articlePE u rekomandon pesë vendeve të BE-së të njohin Kosovën
Next articleHaziri: Në programin tim vend të rëndësishëm zë edhe sporti