Home Uncategorized INDEP: mbajti një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar mbulueshmërinë nga...

INDEP: mbajti një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar mbulueshmërinë nga mediat e shkruara në Kosovë

Indep-Tryeza1Prishtinë – Të martën,  Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), mbajti  një tryezë të rrumbullakët për të diskutuar mbulueshmërinë e çështjeve ekonomike nga mediat e shkruara në Kosovë.

Të pranishëm në tryezë ishin redaktorë, gazetarë të ekonomisë, ekspertë të kësaj fushe si dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Fillimisht, INDEP bëri prezantimin e  gjetjeve preliminare të studimit “Mbulimi i ekonomisë në mediat e shkruara të Kosovës”. Studimi është bazuar në një monitorim sasior dhe cilësor të shtypit të përditshëm, ku për 45 ditë me radhë u bë monitorimi i të gjithë artikujve që i takojnë ekonomisë të botuara nga shtatë të përditshmet në Kosovë. Nart Orana nga INDEP, theksoi se nga 448 artikuj të evidentuar, është parë një mbulim i varfër i çështjeve ekonomike, ku një gazetë, për tema ekonomike ka botuar vetëm 1.44 artikuj në ditë. Për më shumë, artikujt e ekonomisë rrallë herë kanë arritur të plasohen në ballinat e gazetave, ndërsa shumica prej këtyre ertikujve gjendën në faqet e mesme të shtypit të përditshëm.

Një e gjetur tjetër që ka të bëjë me kualitetin e artikujve për ekonominë, tregon se gjatë periudhës së hulumtimit, nga 3 qershori deri më 17 korrik 2013, 38% e gjithë artikujve për ekonominë kanë qenë artikuj për ngjarje protokolli, gjegjesisht artikuj ku vlera e informacionit ka qenë e limituar në përçimin e aktiviteteve të zyrtarëve të shtetit.

Astrit Gashi, gazetar i ekonomisë dhe ish kryeredaktor i gazetës “Zëri” i vlerësoi gjetjet e INDEP si shqetësuese por reale, duke theksuar se sa i përket mbulueshmërisë së ekonomisë nuk kemi patur shumë progres gjatë gjithë dekadës së fundit. Duke i vënë në pah edhe limitet e procesit të monitorimit, Gashi tha se problemi më i madh në mbulimin e ekonomisë qëndron te mungesa e analizës ekonomike.

Ibrahim Rexhepi, kryeredaktor i revistës ’Ekonomia’, theksoi se mospërfshierja e temave më komplekse ekonomike është tipar që vërehet lehtë në shtypin kosovar. Rexhepi mori si shembull faktin që tema të rëndësishme ekonomike, siç është ajo e letrave me vlerë, plasohen nëpër gazeta pa analizë dhe pa sqarime të duhura për lexuesit.

Ndërsa, Gjergj Filipaj, ish gazetar dhe ekspert i fushës së komunikimit, theksoi problemin e mospërgatitjes adekuate profesionale të gazetarëve që e përcjellin ekonominë, duke sygjeruar se mediat duhet të kenë qasje më pro-aktive në edukimin e gazetarëve për çështje ekonomike. Sipas Filipajt mungesa e terminologjisë të saktë ekonomike nëpër të përditshmet tona rrjedhë kryesisht nga mungesa e edukimit dhe trajnimit të gazetarëve në lëminë e tyre.

Gazetarë e redaktorë që ishin prezent në diskutim theksuan mungesën e burimeve të pavarura dhe ekspertëve të ekonomisë që ata  kanë në dispozicion për t’i konsultuar.

Jeffrey M Jamison, përfaqësues i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, theksoi rëndësinë e kuptueshmërisë së raportimit për ekonomi, duke potencuar që gazetarët e ekonomisë duhet ditur se si të plasojnë çështje komplekse ekonomike në mënyrë të kuptueshme për lexuesit.

Disa nga gjetjet tjera të raportit janë:

Hapësira që i u është kushtuar artikujve ekonomik lë shumë për të dëshiruar; 88% të të gjithë artikujve të monitoruar kanë zënë më pak se gjysmë faqë të gazetave.

Nga 448 artikujt e identifikuar, 38% të artikujve kanë vetëm një burim, 30% kanë pasur dy burime, edhe pse ato burime nuk kanë qenë gjithmonë të pavarura nga njera tjetra, dhe vetëm 19% kanë pasur tre apo më shumë burime.

Fushat më të prezantuara për periudhën e monitorimit ishin: bujqësia, investimet e jashtme, dhe privatizimi.

Rekomandimet e INDEP-it në këtë hulumtim janë:

Gazetat duhet menjëherë të ndajnë mjete për përgatitjen e manualeve për trajnimin e gazetarëve sa i përket mbulimit të ekonomisë në pajtim me praktikat më të mira. Në rastin më të mirë, gazetarët e rinj të cilët punësohen duhet marrë nga një grup i kandidatëve me përvojë në sektorin e ekonomisë.

Bordet redaktoriale të gazetave duhet të fillojnë menjëherë krijimin e një qasjeje koherente e të pavarur për mbulimin e çështjeve kryesore të ekonomisë. Prioritet duhet ti jepet kësaj teme, për shkak të rëndësisë së madhe të saj.

Gazetat duhet të konsultohen me një sërë aktorësh për gjetjen e mënyrës më të mirë për mbulimin e ekonomisë në Kosovë. Ekziston një numër ekonomistësh profesionistë, si nga sektori joqeveritar, jo profitabil ashtu edhe nga sektori i biznesit, të cilët janë të disponueshëm për konsultime rreth mënyrave më të mira për t’iu qasur kësaj çështje.

Publikimi final i hulumtimit mbi mbulueshmërinë e temave ekonomike, me rekomandimet e dala nga tryeza, do të botohet në janar të vitit 2014. Kjo tryezë dhe studimi i INDEP u organizua në kuadër të programit të INDEP për Qeverisje Demokratike dhe u mbështet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. /RadioRINIA/

Previous articleKadriu: uron kryetarin Haziri
Next articleMustafa: Falënderon Danidën Daneze dhe e inkurajon për investime edhe më të mëdha në Gjilan