Infeksionet në shtatzëni

Shtatzënia është një periudhë shumë e përshtatshme për zhvillimin e një infeksioni. Gjatë shtatzënisë është i deprimuar funksioni i limfociteve T, shumë shpesh ndryshon flora normale e kanalit të lindjes.

Infeksionet mund të shfaqen gjatë shtatzënisë, lindjes ose pas lindjes. Rrugët e infeksionit mund të janë ngjitëse, nga vagina dhe nga tubat uterine. Rrugë të tjera të shfaqjes së infeksionit janë rrugët hematogjene – përmes gjakut ose përmes limfës – limfogjene. Ndikimi i infeksionit te bebi varet shumë nga periudha në të cilën ndodh infeksioni (vjetërsia e shtatzënisë).

Në rastet kur infeksioni ndodh në 12-të javët e para të shtatzënisë mund të shkaktohen embriopatitë – dëmtimi i embrionit. Embriopatitë nuk janë specifike për llojin e shkaktarit të infeksionit, por janë specifike për fazën e zhvillimit – vjetërsisë së shtatzënisë kur ka ndodhur infeksioni.

Nëse ndodhin dëmtime të rënda të embrionit, ndodh dështimi spontan. Këtë veprim e shfaqin të gjitha infeksionet piogjene, infeksionet me toksoplazmë ose me listerje, por edhe varicela ose chlamydia.Fetopatitë, përkufizohen si dëmtim i fetusit në fazat e mëvonshme të shtatzënisë, pas javës së 12-të të shtatzënisë deri në lindje. Nëse infeksioni vjen në këtë periudhë të shtatzënisë, pasojat e mëvonshme varën nga lloji i shkaktarit të infeksionit.

 

Infeksionet

Infeksionet në shtatzëni kanë një domethënie specifike, duke u bazuar në faktin se bëhet fjalë jo vetëm për infeksion të nënës, por edhe të fëmijës, që mund të lërë pasoja të më vonshme të rënda dhe të përhershme.

Shkaktarët e infeksioneve janë të njëjtët, si në rastin jashtë shtatzënisë; viruset, bakteret, protozoarët. Sa më shumë që afrohet çasti i lindjes, më të mundshme janë infeksionet bakteriale (streptokokët e grupit B), ndërsa gjatë shtatzënisë, rëndësi të veçantë kanë infeksionet virale (rubeola, varicela, citomegalovirus, parvo virus B19).

Pesha, zgjatja dhe ecuria e infeksioneve varet nga numri dhe virulenca e shkaktarit, vetitë imunobiologjike, pra vetitë mbrojtëse të shtatzënës, rrugët e përhapjes së infeksionit si dhe vjetërsia e shtatzënisë – javët e shtatzënisë.

Infeksioni i fetusit ka rrjedha të ndryshme nëse ka ardhur deri te infeksioni me toksoplazma, varicelë ose rubeolë. Mund të shfaqen dëmtime të sistemeve të ndryshme të organizmit, ngecje intrauterine të rritjes, lindje para kohe, por mund të lind fëmijë krejtësisht i shëndoshë, pa pasoja të mëvonshme.

Kur bëhet fjalë për infeksion vetëm të nënës, atëherë infeksioni në shtatzëni mund të kalojë pa asnjë efekt negativ te foshnja. Pasojat e mëvonshme shfaqen në formë të leucemisë (influenza), tumore të sistemit nervor qendror (varicela), ose karcinomit hepatocelular primar (hepatiti B). Infeksioni mund të rrezikojë jetën e të dyve.

Kur është në pikëpyetje ndikimi i infeksionit në ecurinë e shtatzënisë, dhe për shtatzënën mund të priten pasoja edhe më të mëdha, sidomos nëse këto infeksione janë të shoqëruara me temperaturë të lartë trupore, ose infeksionet pas lindjes në periudhën e puerperiumit, ose pas dështimit. Në këto raste, ecuria e infeksionit merr karakter shumë të rëndë, shfaqen numër i madh komplikimesh, me pasoja të rënda.

Si pasojë e infeksionit gjatë shtatzënisë shfaqen infeksionet e cipave amniale dhe plasja e parakohshme e cipave amniale, e shoqëruar me dështim spontan ose lindjen para kohe, gjë e cila shoqërohet me shkallë të lart të vdekjes së fëmijës dhe nënës.

 

Testet

Infeksionet ma të rëndësishme në shtatzëni përfshihen me shkurtimin T O R C H. Në këtë rast T është shkurtimi për Toksoplazmozën, O (përfshijnë hepatitin B, Parotitin, Treponema palidum), R është shkurtimi për rubeolën, C është shkurtimi për citomegalovirus, dhe H paraqet shkurtimin për herpes simplex virus.

Simptomat e këtyre infeksioneve sillen nga shkalla e lehtë në të moderuar, e shoqëruar me dobësim të përgjithshëm, ngritje e lehtë e temperaturës, rritje e nyejve regjionale limfatike, puçrra-manifestim në lëkurë, ndërsa dëmtimet e fetusit janë shumë të mëdha. Disa nga këto infeksione janë të shoqëruara me embriopati tipike për këto infeksione.

Si te sëmundjet e tjera në shtatzëni edhe këtu mbrojtja vendit të lindjes ka rëndësi të veçantë. Për shumicën e infeksioneve të përmendura, ekzistojnë teste specifike në gjak, përmes të cilëve mund të zbulohet se a ka qenë e sëmurë shtatzëna nga këto sëmundje dhe a ka antitrupa mbrojtëse, të cilët mbrojnë bebin gjatë shtatzënisë.

Përcjellja e shtatzënisë me ekzaminime ultrasonografike, duke kërkuar simptoma të mundshme, e në disa raste sipas nevojës edhe me anë të amniocentezës, mund të sqarojnë se a është bebi i infektuar apo jo.

Në disa raste te këto infeksione aplikohet terapi specifike si përdorimi i spiramycinës te toksoplazmoza ose aplikimi i transfuzioneve me gjak te infeksionet me parvovirus B19, ndërsa te infeksionet tjera, nuk ka mundësi mjekimi. Çdo lloj infeksioni gjatë shtatzënisë është i rrezikshëm dhe duhet parandaluar .

 

Në shtatzëni asnjë vaksinë, veç asaj të poliomelitit

Shtatzënia nuk është kohë-periudhë në të cilën mjekët të insistojnë në vaksinimin e rregullt të shtatzënave, edhe pse nuk janë të gjitha vaksinat të ndaluara për t’u bërë në shtatzëni. Gjithsesi, parim themelor është të mos bëhet asnjë vaksinim me virus të gjallë (vaksina kundër fruthit, rubeolës, shytave-parotitit dhe tuberkulozit), e as në raste kur viruset janë të trajtuar, pasi edhe në këto raste, mund të priten dëmtime të fetusit.

I vetmi përjashtim bëhet te poliomieliti, ethet e verdha, kundër të cilave shtatzëna duhet patjetër të vaksinohet, nëse gjatë periudhës së shtatzënisë udhëton për arsye të ndryshme në vende në të cilat ekziston rreziku nga infektimi me këto sëmundje (Afrika Qendrore, Afrika Jugore dhe Azia jugperëndimore).

Në rast se shtatzëna vjen në kontakt me të sëmur nga fruthi, rubeola ose varicela, e në anën tjetër nuk e di se a ka qenë vetë e sëmurë nga këto sëmundje, duhet të kontrollohet niveli i antitrupave në gjak, dhe të përcaktohet statusi imunologjik. Në rast të mungesës së antitrupave kundër sëmundjeve të përmendura, në vend të vaksinimit duhet të aplikohet terapi mbrojtëse me imunoglobulinë.

Kur është fjala për të sëmurë me tuberkuloz, statusi imunologjik i shtatzënave kontrollohet me testin e tuberkulinës. Kur bëhet fjalë për vaksinim, te të cilat vaksina përmbajnë baktere ose viruse gjysmë të vdekura, atëherë shtatzënave u lejohet që të vaksinohen. Ky vaksinim me këto vaksina mund të bëhet, sidomos nëse gruaja rrezikohet potencialisht nga këto sëmundje: poliomieliti; influenca; hepatiti B; tetanosi; difteria; tifoja; kolera; encefaliti; tërbimi. (bebaime)