Home Uncategorized IPKO: prej nesër do t’i pajis me 3G

IPKO: prej nesër do t’i pajis me 3G

Prishtin – IPKO, sot e ka zyrtarizuar lansimin e 3G-së në rrjetin e saj mobil, do të fillojë me lëshimin këtij shërbimi prej orës 24:00, të 1 dhjetorit 2013, prej kur edhe hyn në fuqi vendimi për ofrimin e saj. Mësohet se stacionet e para bazë me rrjetin 3G do të jenë në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, për të vazhduar edhe me 18 komuna tjera të cilat IPKO prej nesër do t’i pajis me 3G.

E fundit: Informacioni i fundit nga IPKO është se tani secila prej 20 komunave, të cilat janë planifikuar të pajisen me rrjetin 3G tashmë e kanë marrë sinjalin e këtij shërbimi, dhe se shpejtësia e internetit të cilin po e marrin përdoruesit është marramendëse, në krahasim me shpejtësinë e EDGE e cila ka mbetur deri më tani.

E konfirmuar: IPKO njofton se brenda 20 minutave të para me 3G, më shumë se 9500 përdorues të saj tashmë janë duke e përdorur rrjetin 3G.

Në konferencën e sotme për media, drejtori ekzekutiv i kompanisë IPKO, Robert Erzin, ka thënë se zhvillimi i infrastrukturës moderne për telekomunikim është po aq me rëndësi sa edhe ndërtimi i autostradave, “sepse teknologjia moderne mundëson lidhjen e Kosovës me botën”.

ipko-e-b-euml-n-kosovë-n-me-3g_hd

“Pritjes për 3G i erdhi fundi. Prej nesër IPKO do ta sjell internetin më të shpejtë mobil në Kosovë. Me këtë IPKO do ta heq Kosovën nga harta e shteteve të botës të cilat ende bazohen në rrjetin 2G”, ka thënë Erzin.

“Për ta rritur shkallën e përdorimit të rrjetit 3G, që nga dita e parë, IPKO do ta bëjë përditësimin automatik të pakove ekzistuese të internetit nga rrjeti 2G në atë 3G. E tëra që përdoruesit e pajisjeve të mençura mobile duhet të bëjnë është aktivizimi i rrjetit 3G në telefonat e tyre mobil dhe të fillojnë ta përdorin shpejtësinë e ofruar nga 3G edhe nga pakot e tyre ekzistuese”.

Pakot e 3G fillojnë prej 1.95 euro.

Pakoja hyrëse me internetin 3G do të jetë pako MINI e cila do të ofrojë 300 megabajt w do të kushtojë vetëm 1.95 euro për muaj. Pakoja e dytë me 500 megabajt internet 3G është pakoja MIDI, e cila do të kushtojë 3.95 euro për muaj. Ndërsa, pakoja MAXI e cila ofron 1GB internet 3G do të kushtojë 4.95 euro për muaj. Të gjitha pakot e internetit në mobil nga IPKO do të marrin edhe 5GB internet WiFi falas.

“Me pakot e ofruara për rrjetin 3G në jemi të bindur se do t’i përgjigjemi kërkesave të shumta të konsumatorëve tanë, të cilët në masë të madhe e përdorin internetin në mobil. Edhe në 2G, rreth 37 për qind e bazës së përdoruesve aktivë të IPKO-së kanë gjeneruar trafik nga pajisjet e tyre mobile”.

Çka është 3G?

3G është teknologji e cila mundëson përdorimin e internetit të shpejtë nga telefoni i tyre mobil. Përgjatë dekadës së fundit, 3G është zhvilluar nga një teknologji e cila mundësonte shfletimin e internetit prej shpejtësisë deri në 384 kbps, pastaj është zhvilluar e ashtuquajtura 3.5G me shpejtësi deri në 14.2 Mbps për celulë, dhe së fundi në 3.75G apo HSPA+, e cila ofron shpejtësinë e internetit në mobil deri në 21 Mbps në celulë. Telegrafi ka mësuar se IPKO do ta ofrojë gjeneratën e fundit të këtij rrjeti, respektivisht 3.75G, e cila është gjenerata e fundit para rrjetit 4G.

Dallimi në mes 2G dhe 3G?

Krahasimi në shpejtësitë e shfletimit të internetit në mobil, të cilën e lejojnë dy teknologjitë, ka dallim të madh: 2G ofron maksimum deri në 200 kbps, ndërsa 3G mund të shkojë deri në 21 Mbps në kushte ideale.

Çfarë zgjidhje tjera të internetit në mobil ofron IPKO?
Interneti Brezëgjerë Mobil është term i ri i cili i bashkon të gjitha teknologjitë që lejojnë shfletimin e shpejtë të internetit në mobil, përkatësisht rrjetet si 3G/3.5G, 3.75G, Wifi-Offload dhe 4G. Zgjidhja e internetit brezëgjerë mobil të cilën e ofron IPKO kombinon rrjetet 3G dhe 3.75G, me një konvergjencë me Wifi-Offload, që mundëson kalimin prej rrjetit klasik mobil në rrjetin modern mobil (3.75G + Wifi). Oferta e internetit në mobil nga IPKO mundëson shfletimin dukshëm më të shpejtë të internetit në mobil në Kosovë, duke u dhënë përdoruesve të saj përvojën më të mirë të përdorimit të internetit nga pajisjet mobile.

Konfigurimi i telefonave mobil dhe tabletëve me IPKO 3G dhe WiFi?

Përdoruesit e telefonave të mençur mobil duhet të klikojnë në cilësimet e telefonit të tyre mobil (Settings) > Mobile Networks, dhe më pas të sigurohen që e kanë zgjedhur opsionin: GSM/WCDMA (auto mode). Ndërsa për lidhje me WiFi, përdoruesit duhen të sigurohen që të mbajnë rrjetin WiFi gjithmonë aktiv, pasi që të kenë përzgjedhur metodën “EAP-SIM” si opsionin e tyre për konfigurim. Për më shumë lidhur me konfigurimin EAP SIM, klikoni këtu për sistemin Android apo këtu për sistemin iOS. /RadioRINIA/

Previous articleGjithçka gati për balotazh
Next articleTesti i Demokracisë dhe Shtetit