Italia përkrah heqjen e vizave për kosovarët

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni është takuar në Romë me ministrin e Brendshëm të Republikës së Italisë, Angelino Alfano.

Në njoftim thuhet se ministrat kanë biseduar për një varg çështjesh të interesit të ndërsjellë nacional dhe në funksion të forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale të sigurisë Kosovë-Itali.

“Partneriteti strategjik midis Kosovës dhe Italisë në rrafshin e sigurisë dhe rendit e ligjit është i fortë”, tha ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Skender Hyseni.

Në mënyrë të veçantë u trajtua çështja e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministri Hyseni nënvizoi se Kosova nuk duhet të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkan dhe aprovimi sa më i shpejtë i rekomandimit për heqjen e vizave është në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian.

Ndërsa ministri Alfano theksoi se Italia përkrah heqjen e vizave për kosovarët.

Çështje tjetër e veçantë që u trajtua nga dy ministrat ishte edhe terrorizmi global dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Të dy ministrat u dakorduan që Kosova dhe Italia do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë në përballje dhe luftën këtyre kërcënimeve që tejkalojnë kufijtë nacional të shteteve.

Ministri Alfano falënderoi ministrin Hyseni për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e tij të thellë për marrëdhëniet e afërta midis dy shteteve, duke theksuar gatishmërinë e tij dhe të Italisë për të bashkëpunuar edhe më tutje në çështje me interes të veçantë, sikurse është terrorizmi global dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Ministri Hyseni kërkoi përkrahjen e mëtejme të Italisë edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe avancimit të bashkëpunimit me Europol-in, si dy mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë të bashkëpunimit policor.

“Kosova duhet të anëtarësohet në këta mekanizma sa më shpejtë, sepse kjo i kontribuon paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon”, u tha mes tjerash ne takimin e sotëm të dy ministrave në Romë.