Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, bën thirrje që të gjitha institucionet të reagojnë ndaj problemit të shkuarjes së kosovarëve për të luftuar në Siri.
Ajo në pjesën e dytë të intervistës për Radion Evropa e Lirë flet edhe për gjuhën e urrejtjes që përdorin disa imamë në xhami, e që sipas saj këto fjalimi nuk kanë vend në demokraci.
“Mendoj se kjo është diçka për çka duhet të brengosemi të gjithë. Lufta në Siri është gjë e tmerrshme dhe po vazhdon qe një kohë të gjatë. Por, po ashtu këtu në Kosovë jemi të shqetësuar për shkak të kosovarëve të rinj që po shkojnë për të luftuar në Siri duke u radhitur me grupe radikale dhe duke zhvilluar atë lloj ideologjie. Dhe çka ndodh pastaj? E pamë sulmin mbi tre pjesëtarët e xhandarmërisë në Turqi, të cilët u vranë nga një luftëtar në kthim e sipër. E patëm sulmin vetëvrasës me bombë në Irak, i cili u krye nga një kosovar që kishte qenë në Siri. Pra, po, kjo gjë është shumë brengosëse dhe të gjithë duhet të reagojmë ndaj kësaj çështjeje, si bashkësi ndërkombëtare së bashku me Kosovën sepse qartazi ky nuk është problem vetëm i Kosovës, por është problem i tërë botës”, u shpreh Jacobson.
Ambasadorja amerikane shfaqi shpresën se shumica e popullit të Kosovës që përkrah shtetin sekular, që përkrah shumëllojshmërinë fetare, që përkrah respektin e dyanshëm, do ta ngrejë zërin dhe që pastaj këta zëra do të jenë ata që do ta trasojnë rrugën drejt të ardhmes.