Home LAJME Jahjaga i kërkoi Veselit të kompenzohet koha e humbur në Kuvend

Jahjaga i kërkoi Veselit të kompenzohet koha e humbur në Kuvend

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim kryetarin e Kuvendit, zotëri Kadri Veseli, me të cilin bisedoi për bashkërendimin dhe avancimin e punës së institucioneve.

Presidentja Jahjaga dhe kryetari Veseli biseduan për përshpejtimin e procesimit të projektligjit që ndërlidhet me pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në konflikte të armatosura jashtë vendit, për të intensifikuar luftën kundër terrorizmit. Ata theksuan se është e rëndësishme që të miratohen Projektligji për mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me Vendim të Gjykatës ose të panelit për lirim me kusht dhe Projektligji për përgjimin e komunikimeve elektronike, të cilat lidhen me procesin e integrimeve evropiane, me theks të posaçëm në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Presidentja Jahjaga dhe kryetari Veseli gjithashtu theksuan domosdoshmërinë e miratimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik që do të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i dalë si rekomandim nga Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, të cilin e udhëheqë Presidentja.

Presidentja Jahjaga tha se Kuvendi i Kosovës duhet të punojë në kompensimin e kohës së humbur gjatë periudhës gjashtëmujore të vitit të kaluar dhe të vendos një sistem të mirëfilltë të demokracisë parlamentare.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e njoftoi Presidenten për punën e deritashme të Kuvendit dhe për planet e miratimit të katër ligjeve me interes të posaçëm për vendin e të cilat prekin fushat e sigurisë kombëtare, të sundimit të ligjit dhe të integrimeve evropiane. Ai tha se takimet me Presidenten e vendit në kuadër të kompetencave kushtetuese të të dyja institucioneve janë një praktikë e mirë e bashkërendimit ndërinstitucional dhe ato do të vazhdojnë me qëllim të avancimit të proceseve demokratike në vend.

Previous articleKu është Shaqa?
Next articleShaqiri i Interit!