Home LAJME Jahjaga në Podujevë:Rruga e ikjes është një rrugë e lehtë, është...

Jahjaga në Podujevë:Rruga e ikjes është një rrugë e lehtë, është një e pagarantuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot komunën e Podujevës, në kuadër të vizitave nëpër komunat e Kosovës dhe takimeve me qytetarë, me qëllim të parandalimit të migrimit ilegal të qytetarëve dhe përcjelljes së mesazhit se rruga e ikjes nga vendi nuk është zgjidhje e asnjë problemi.

Fillimisht Presidentja Jahjaga është pritur në takim nga kryetari i komunës, Agim Veliu, i cili e njoftoi Presidenten me gjendjen e përgjithshme në komunën e Podujevës, e cila është e prekur në masë të madhe nga migrimi ilegal i qytetarëve.

Veliu theksoi se javën e fundit vërehet një ulje e fluksit të largimit të qytetarëve, që vërehet edhe nga rënia e dukshme e numrit të kërkesave për dokumente që u shërbejnë atyre për të migruar ilegalisht. Ai gjithashtu theksoi se po shënohet edhe raste të kthimit të qytetarëve, të cilët pasi kanë marrë rrugën e migrimit, janë kthyer sërish në familjet e tyre.

Jahjaga, e shoqëruar nga kryetari i komunës, takoi qytetarë të shumtë në qytet. Ajo i dëgjoi hallet dhe problemet e tyre, të të gjitha natyrave, dhe premtoi se institucionet e vendit, si ato në nivel qendror, ashtu edhe ato në nivel lokal, do të ndërmarrin të gjitha masat që gjendja e tanishme të ndryshojë në të mirë të zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve.

Presidentja Jahjaga u tha atyre se rruga e ikjes, rruga e largimit nga vendi nuk është zgjidhje e problemeve. Ajo tha se i kupton problemet e qytetarëve, por theksoi se rruga e shtetndërtimit të vendit nuk është një rrugë e lehtë, është një rrugë shumë e vështirë, që kërkon angazhim të të gjitha institucioneve dhe të gjithë qytetarëve.

Në një deklaratë bërë pas takimeve, Jahjaga theksoi: “Erdha në komunën e Podujevës për të dëgjuar hallet dhe problemet e qytetarëve, për të dëgjuar arsyet e ikjes së qytetarëve, që po ndodh kohëve të fundit. Rruga e ikjes nuk është një rrugë e lehtë, është një e pagarantuar, një rrugë e pasigurt, sidomos tani që po i shohim deklarimet e vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët do t’i kthejnë qytetarët tanë. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët e Podujevës, unë u thashë atyre që të bëjnë apel te të gjithë të afërmit e tyre që të mos e lëshojnë Kosovën, të mos largohen nga Kosova, të mos bien pre e grupeve kriminale, sepse e ardhmja e tyre është në Kosovë, që së bashku me institucionet e vendit, me kontributin e gjithsecilit qytetar të vendit tonë, të vazhdojmë me procesin e shtetndërtimit të vendit tonë dhe së bashku të ecim drejt proceseve integruese”.

Previous articleVizitë e suksesshme e delegacionit nga Podujeva në Westerstede të Gjermanisë
Next articleJa marrëveshja e arritur në Bruksel