Home LAJME Jahjaga, sekretarit britanik: Duhet t’i shmangemi krijimit të Speciales nga OKB-ja

Jahjaga, sekretarit britanik: Duhet t’i shmangemi krijimit të Speciales nga OKB-ja

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua në Londër me sekretarin e jashtëm britanik, Philip Hammond, me të cilin bisedoi për sfidat e vendit në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit, përballjen me kërcënimet ekstremiste, rrugën evropiane të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të saj, përmes tërheqjes së investitorëve të huaj.

Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me Britaninë e Madhe, që e ka ndihmuar Kosovën në procesin e ndërtimit të paqes dhe të shtetësisë së saj.

Ajo tha se Kosova është e përkushtuar që të ndërtojë një shoqëri demokratike e gjithëpërfshirëse dhe të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Ajo tha se sundimi i ligjit dhe rendit dhe ndërtimi i një shtetit të së drejtës janë përparësi të shoqërisë në vend.

Jahjaga tha se qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj besojnë në parimin e drejtësisë për të gjithë dhe se shpreson se institucionet e vendit do të gjejnë së shpejti mundësinë për të përmbushur obligimet ndërkombëtare duke votuar për krijimin e Gjykatës Speciale, që do të adresojë akuzat e ngritura nga raporti i Këshillit të Evropës, duke shmangur një hap që do të mund të ndërmerrej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Duke folur për procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, presidentja Jahjaga theksoi se institucionet e vendit janë të përkushtuara për dialogun por ritheksojnë rëndësinë e zbatimit të plotë të gjitha marrëveshjeve të arritura dhe kushtëzimit të rrugës evropiane të Serbisë me zbatimin e tyre.

Ajo tha se Serbia po vazhdon të mbështesë strukturat ilegale të sigurisë në Kosovë, të cilat sipas marrëveshjeve do të duhej të shpërbëheshin.

Previous articleMustafa thërret ministrat të jenë në seancë nesër
Next articleUrimi i Myftiut të Kosovës Naim Tërnava me rastin e Fitër – Bajramit