Home LAJME Jahjaga: USAID, një lidhje e fuqishme miqësie me SHBA-të

Jahjaga: USAID, një lidhje e fuqishme miqësie me SHBA-të

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në ceremoninë e shënimit të 15 vjetorit të themelimit të Misionit të USAID në Kosovë, përveç rëndësisë që kanë luajtur miqtë ndërkombëtar në çlirimin e Kosovës, ka folur edhe për ndihmën që i kanë dhënë Kosovës së pasluftës.

Sipas presidentes Jahjaga, kjo ndihmë kishte qenë vitale, si në tejkalimin periudhës së vështirë të pasluftës, po ashtu edhe në fazën e rindërtimit, si dhe të vendosjes së bazave për një shtet demokratik, që respekton dhe garanton liritë e gjithsecilit.

“Pesëmbëdhjetë vite më parë, përfundoi një ndër luftërat më të përgjakshme që kishte parë Evropa e shekullit të 20-të, duke lënë pas shkatërrim, vuajtje e humbje. Ishte pesëmbëdhjetë vite më parë, kur vargu i gjatë i qindra mijëra refugjatëve, po ktheheshin në Kosovë, në shtëpitë e tyre për ti gjetur ato tërësisht të rrënuara, por me shpresën dhe përkushtimin për të hapur kapitullin e paqes që do garantonte një të ardhme më të mirë, më të sigurt jo vetëm për ta, për qytetarët e Kosovës, por për të gjithë rajonin”, ka thënë presidentja Jahjaga.

Në vitin 1961, rikujton Jahjaga, kur presidenti John Kennedy themeloi misionin e USAID, ai foli për obligimin që kemi ndaj njëri-tjetrit, në komunitetin e ndërvarur të popujve të lirë, për rëndësinë e demokracisë dhe tregut të lirë, për rëndësinë e ofrimit të ndihmës ndaj popujve të tjerë të cilët bëjnë përpjekje për një jetë më të mirë, si dhe për të jetuar të lirë në vende demokratike.

“Ishin pikërisht këto ideale që mveshi misioni i USAID në Kosovë, duke i shtrirë dorën e ndihmës së popullit amerikan qytetarëve të Kosovës, ndërmjet të cilëve u ndërtua një lidhje e fuqishme e përjetshme miqësie”, ka potencuar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Previous articleThaçi dhe Rama: Momente të rëndësishme për të reflektuar për kombin
Next articleMbahet mbledhja e katërt e Këshillit të Drejtorëve të Komunës së Prishtinës