Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka përmbyllur takimin me gazetarë. Jahjaga, ka thënë se viti 2013 për Kosovën ka qenë një vit i suksesshëm i cili ka hapur shtigje të reja për rrugën evropiane.
“Dua të them se vitin që po e lëmë pas 2013 për shtetin tonë, për Kosovën ka qenë një vit i mirë, ka qenë një vit i suksesshëm, që ka hapur shtigje të reja dhe gjithsesi se ka qartësuar edhe rrugën tonë evropiane. Këtë vite ne kemi përmbyll dhe filluar procese të rëndësishme për vendin tonë, procese të cilat gjithsesi se i kontribuojnë edhe ndërtimit të një shteti gjithëpërfshirës”, ka theksuar Jahjaga.
Presidentja Jahjaga ka shtuar se gjatë këtij viti, Kosova ka hyrë në marrëdhënie të reja me shtetet fqinje dhe ka filluar reforma qenësore për shtetin dhe shoqërinë.
“Ne kemi hyrë në marrëdhënie të reja në shtetet fqinje. Marrëdhënie të cilat duhet të përmbyllen me një marrëveshje përfundimtare e cila duhet të zbatohet në plotni dhe duhet të zbatohet në përpikëri. Ne kemi filluar edhe reforma qenësore për shtetin tonë dhe shoqërisë tonë. Këto reforma do të vendosin shtetin e së drejtës dhe puna e pandashme e jona në zbatimin e standardeve të vazhdueshme të cilat duhen të plotësohen”, ka shtuar Jahjaga.
Jahjaga është shprehur optimiste se kanë guximin dhe forcën t’i përmbushin këto detyra dhe t’i realizojnë, pasi sipas saj, janë në interes të shoqërisë dhe të zhvillimit të gjithmbarshëm./Kosovapress/RadioRINIA/