Jashari: Ju tregoj kriminelët që shëtisin në veri

Dëshmia e një serbi nga Mitrovica për natën e 24 marsit të vitit 1999 ka rikthyer kujtime të tmerrshme në familjen Jashari në Mitrovicë – shkruan gazet Tribuna.

Dëshmitari ‘Y’ ka përmendur një rast që ka ndodhur e ku është përfshirë edhe familja Jashari.

Ky dëshmitar ka thënë se ditën e 24 marsit , D.B., me armën e tipit kallashnikov, është futur në bodrumin e banesës në rrugën “Vlada Cvetkoviq Nr. 5/1”, kurse tash është numër 26.

Aty në bodrum thotë se ka pasur shumë fëmijë dhe të rritur shqiptarë.

“Në këtë rast fëmija Linda Jashari, vajza e Faik Jasharit, ka pësuar trauma dhe stres të madh dhe nga frika e ka shkëputur më dhëmbë buzën dhe gjuhën e vet. Ai fëmijë në atë kohë ka pasur 9 vjet”, ka thënë ‘Y’.

Krejt këto të dhëna i kujton me përpikëri Faik Jashari, babai i vajzës që pretendohet se ka pësuar trauma.

Jashari, i cili që nga ajo natë kurrë nuk është kthyer në banesën e tij në rrugën “Vlada Cvetkoviq”, në veri të Mitrovicës, rrëfen tërë ngjarjen që ka ndodhur natën kur bombat e NATO-s sulmuan forcat e policisë dhe ushtrisë së regjimit të Millosheviqit.

“Kemi qenë aty brenda të gjithë dhe kanë hyrë njerëz me maska të armatosur duke na pyetur për emrat dhe mbiemrat. Normalisht se fëmijët janë frikësuar, por edhe ne. Unë e kam njohur njërin nga ata që ishinme maska. Ai ishte fqinji im Nenad Vuçetiq”, thotë Jashari.