Home SPORT Juventusi në çerekfinale të EL

Juventusi në çerekfinale të EL

Andrea Pirlo ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes, sërish nga goditja e lirë, për të ndihmuar Juventusin të fitojë 1-0 ndaj Fiorentinas dhe të kualifikohet në çerekfinale të Europa League.

Ndeshja filloi me një intensitet të lartë, me të dyja skuadrat që kërcënuan portat kundërshtare. Ishin vendasit që patën dy raste në minutat e para të takimit, por Josip Ilicic dhe Mario Gomez dështuan, në të dy rastet të asistuar nga Borja Valero.

Valero vazhdoi të krijojë raste të tjera në ndeshje, por sulmi i Violas nuk arriti të gjejë rrejtën e Buffon.

Bianconerët po ashtu kërcënuan në disa raste në pjesë të parë, kryesisht me anë të Carlos Tevez, që pati disa goditje në portën kundërshtare.

Me mjaft intensitet filloi edhe pjesa e dytë, me raste nga të dyja skuadrat. Por momenti vendimtar i takimit dhe i gjithë sfidës ishte ndërhyrja e Gonzalo Rodríguez në Fernando Llorente, që përjashtoi nga ndeshja mbrojtësin argjentinas.

Andrea Pirlo edhe një herë dërgoi një goditje të përkryer në këndin e djathtë lartë të portës së Fiorentinës, dhe që doli të ishte goli i vetëm i takimit (71’). Me një lojtar më shumë në fushë, Bianconerët kërkuan edhe golin “e qetësisë”, por nuk e gjetën.

Juventusi kualifikohet në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm 2-1, pas barazimit 1-1 në Juventus Stadium.

Previous articleIsa Mustafa: Mocionin e AAK-së do ta përkrahim nëse nuk mbahen zgjedhjet në qershor
Next articleShtëpia e Cobain, mund të bëhet muze