Kartoni i gjelbër: Marrëveshja larg

Çmimet aktuale të sigurimit të automjeteve dhe vështirësitë në kalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të mbesin pengesa të panevojshme për qytetarët e të dyja vendeve.

 

Zv.kryeministrja në largim, Edita Tahiri ka biseduar në Bruksel me zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Byrove Evropiane edhe për anëtarësimin e Byrosë së Sigurimit të Kosovës në Këshillin e Byrove Evropiane, në mënyrë që pastaj Kosova të jetë pjesë e Kartonit të gjelbër.

Por, sipas Tahirit, paraprakisht Kosova duhet t’i plotësojë disa kushte.

Ajo tha se është kërkuar rritja e kapaciteteve profesionale të Byrosë së Sigurimeve, krijimi i një fondi garantues dhe rritja e bashkëpunimit me Këshillin e Byrove Evropiane.

Veç kësaj, Edita Tahiri shpreh bindjen se për sigurimin e automjeteve në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shumë shpejt do të arrihet marrëveshja ndërmjet dy vendeve, e cila marrëveshje do të garantohet nga Bashkimi Evropian.

Tahiri tha se në takimin që kishte në Bruksel me përfaqësuesit e BE-së dhe të Këshillit të Byrove Evropiane është shënuar përparim i rëndësishëm në këtë drejtim.

“Jemi shumë afër arritjes së një marrëveshje, përkatësisht një memorandumi të bashkëpunimit me garantimit e palës së tretë pra të BE-së, mes byrosë së sigurimeve të Kosovës dhe mekanizmit homolog në Serbisë, e cila marrëveshje në fakt do të krijojë kushte që sigurimi i automjeteve kufitare të zgjidhet sipas modeleve që ka Kosova me shtetet fqinje”, tha ajo.

Bisedimet për zgjidhjen e çështjes së sigurimeve kufitare kanë filluar në vitin 2011, mirëpo ende nuk ka rezultate konkrete, ndërsa tarifat vazhdojnë të jenë ende të larta. Tahiri thotë se të pakënaqur me këto çmime janë si qytetarët e Kosovës, ashtu edhe ata të Serbisë, andaj po punohet për uljen e tarifave.

“Qëllimi është pra ulja e tarifave, normalizimi i tarifave siç është për çdo vend tjetër dhe heqja e vështirësive për lëvizjen e lirë si një parim themelor edhe i BE-së por edhe i shtetit tonë i cili ka një kushtetutë demokratike ku garantohet lëvizja e lirë e qytetarëve”, tha Tahiri.

Sa i përket takimeve tripalëshe në këtë fazë, ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe BE-së, zëvendëskryeministrja Tahiri thotë se mund të fillojnë pas zgjedhjeve nacionale në Kosovë.

“Mendoj se deri pjesën e dytë të qershorit, sepse tash jemi në periudhë zgjedhore nuk mund të zhvillojmë bisedime trepalëshe. Në këtë periudhë do t’i mbajmë vetëm dy paleshe, por pas zgjedhjeve, menjëherë pres që do të kemi këtë marrëveshje dhe menjëherë fillon edhe zbatimi”, tha Tahiri.