Home Uncategorized Keqpërdorimet nuk u raportuan në polici

Keqpërdorimet nuk u raportuan në polici

Asnjë nga më shumë se 10 mijë mesazhe të raportuara në numrin 500 88 më 3 nëntor, në ditën e votimit për zgjedhjet lokale 2013 në Kosovë nuk janë raportuar në Policinë e Kosovës dhe as në Prokurorinë e Shtetit.

Edhe pse organizatorët e kampanjës “Voto dhe Vëzhgo” thonë se qëllimi i krejt fushatës ka qenë mbrojtja e votës duke u raportuar parregullsitë në numrin pa pagesë, zyrtarë të Prokurorisë së shtetit dhe monitorues të këtij institucioni dhe Policisë së Kosovës, nuk e pranojnë që ajo ka arrit një efekt të tillë. Kjo për faktin se gjithë ato parregullsi të cilat janë adresuar në ditën e votimit përmes sms-ëve në qendrën e kampanjës “Voto dhe Vëzhgo” e cila është në kuadër të KFOS-it, kanë përfunduar në zyrat e kësaj organizate duke mos u raportuar asnjë nga ta në Policinë e Kosovës ose Prokurorinë e shtetit.

Visare Aliu, koordinatore e projektit “Voto dhe Vëzhgo”, ka thënë se deri një orë pas mbylljes së qendrave të votimit i kanë pranuar më shumë se 10 mijë mesazhe prej të cilave, sipas saj, 6 mijë e 152 janë cilësuar si valide, transmeton KP.

“Të gjitha këto i kemi pas pothuajse në të gjitha kategoritë. Është raportuar nga një rast, mirëpo më të shumtat ka qenë kategoria që ka pas të bëjë me listën e votuesve. Ka pas shumë mesazhe që e kanë treguar prezencën e emrave të peronave që kanë vdekur, ka pasur mesazhe që kanë të bëjnë me keqmenaxhimin e qendrave te votimit dhe vendit të votimit, mungesa e fletëvotimeve të ndryshme në kabinë. Po ashtu, edhe ajo ka qenë e raportuar. Mesazhe të llojeve të ndryshme, me fjalë të tjera e kemi pa se sa e nevojshme ka qenë e tërë kjo kampanjë për njerëzit të cilët e kanë pa të udhës që ta mbrojnë votën e vet duke i raportuar parregullsitë që ata i kanë pa. Kjo ka qenë faktikisht edhe ideja kryesore e kampanjës që përpos votimit qytetarët të kenë të drejtën edhe të vëzhgimit dhe të raportimit, mos t’ia lëmë barrën tjetër kujt e pastaj të ankohemi por në një farë mënyre të gjithë ne e kemi në dorë të ardhmen tonë dhe e kemi të drejtën e raportimit”, ka theksuar ajo.

Megjithatë, Aliu, ka pohuar se parregullsitë e raportuara nga qytetarët në numrin 500 88 nuk janë raportuar në Prokurori apo Policinë e Kosovës.

“Mandati i kampanjës ‘Voto dhe Vëzhgo’ mbaron aty në momentin kur përpunohet mesazhi nëpër kategori. Ne nuk e kemi për qëllim që të merremi më tutje se çka do të ndodh me këto mesazhe”, është shprehur ajo.

Mirëpo, prokurorja e shtetit, Laura Pula, ka thënë për Kosovapress se rruga e vetme për t’u zgjidhur rastet e raportuara për parregullsitë e caktuara gjatë ditës së votimit, është ajo e Policisë së Kosovës dhe e Prokurorit të shtetit.

“Prokurori i shtetit edhe njëherë thekson se rruga e vetme për të adresuar saktë dhe me urgjencë zgjidhjen e rasteve është Policia e Kosovës dhe Prokurori i shtetit, të cilat institucione kanë mandat dhe autoritet për zbatimin e ligjit në vend. Prandaj, këto organizata dhe të tjera që duan të ndihmojnë proceset dhe të zgjidhen rastet, duhet t’i procedojnë të gjitha rastet që kanë të bëjnë me elemente të veprave penale kundër të drejtave të votimit, duhet t’i dërgojnë në polici dhe prokurori. Në të kundërtën, ato do të mbesin vetëm informacione për nevoja te tyre”, është shprehur Prokurorja Pula.

Edhe Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shprehet se të gjitha rastet e keqpërdorimit në ditën e zgjedhjeve në vendin tonë duhet ta adresohen në Policinë e Kosovës apo Prokurorinë e shtetit në mënyrë që ta arrijnë efektin e duhur.

“Natyrisht kjo kampanjë mund ta ketë pasur efektin e vet psikologjik te masa apo te individët që kanë dashur… Pra, që të tentojnë dhe të manipulojnë me procesin e zgjedhjeve. Ndoshta kjo ka ndikuar te ata individë ose te ato grupe që të tërhiqen dhe të mos ia mësyjnë vjedhjes së votave por të gjithë ata që kanë pasur informacione dhe kanë dashur që ato informacione të shërbejnë për t’u zgjidhur rastet, është dashur të adresohen në kanale ligjore, në rrugë institucionale në Policinë e Kosovës, në Prokurorin e shtetit. Ato informacione që nuk janë raportuar në këto institucione ka qenë pamundur që të prodhojnë efekte dhe në këtë rast unë nuk e di efektin që është arritur sepse nuk ka ndonjë indikator tjetër të matjes se si ka arritur efekt kjo kampanjë”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e 3 nëntorit, përkundër anulimit të tyre në tri qendra të votimit në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe përkundër vërejtjeve, të aty-këtushme për votim familjar, fotografim të votës apo ndonjë lëshimi tjetër, teknik, nga Monitorues të Bashkimit Evropian, përfaqësues të Shteteve të Kuint-it dhe institucioneve të Kosovës, janë vlerësuar si zgjedhjet nga më të mirat që janë organizuar deri më tani./RadioRINIA/

Previous articleShakira pranon Kosovën dhe lobon për pranimin në UEFA dhe FIFA
Next articlePique: Ronaldon e çmend Messi