Kikirikët ndihmojnë të keni zemër të shëndetshme

Konsumimi i rregullt i kikirikëve është i rëndësishëm për të pasur një zemër të shëndetshme dhe për të pasur nivel të ulët të yndyrës në organizëm, tregojnë studimet.

Një hulumtim i realizuar kohë më parë ka analizuar 53 persona obezë dhe është realizuar në dy faza. E para fazë ka qenë humbja e peshës trupore, e cila ka zgjatur 4 javë, ndërsa më pas është ndjekur faza e ruajtjes së peshës trupore për katër javë.

Yndyrat e ngopura para fazës testuese kanë përbërë 7 për qind të vlerave energjetike të konsumuara. Personat më pas janë ndarë në dy grupe, te njëri grup acidet e ngopura yndyrore në ushqim janë zëvendësuar me karbohidrate, derisa te grupi tjetër janë zëvendësuar me acidet yndyrore të pangopura nga kikirikët, gjalpi dhe vaji i kikirikut.

Gjatë fazës së ruajtjes së masës trupore, te personat të cilët kanë konsumuar dietë me pak përbërje yndyre, niveli i triglicerideve është rritur në vlerat e mëhershme, derisa në rastin e dietës tjetër, me yndyra të pangopura, niveli i tyre është ulur.

Në përgjithësi, dieta e pasur me kikirikë dhe acide të pangopura yndyrore ka rezultuar me një ulje prej 14 për qind të rrezikut nga sëmundjet kardiovaskulare, derisa te dieta me përmbajtje të vogël yndyre, rreziku është ulur për 9 për qind.

Si përfundim, për të pasur një zemër të shëndetshme nuk është e shëndetshme që yndyra të eliminohet plotësisht, por e rëndësishme është që yndyrat e ngopura të zëvendësohen me yndyra të pangopura, siç janë vajrat me prejardhje nga kikiriku (ose të tjera).