18 persona kanë mbetur të vdekur pas shembjes së murit të një fabrike për shkak të reshjeve të dendura në lindje të Kinës, ditën e diel, teksa të gjithë ishin punonjës të saj dhe në orarin e punës, bën të ditur agjencia e lajmeve Xinhua.
Rreth 40 punëtorë të një kompanie për energjinë e rinovueshme në qytetin piktoresk bregdetar të Qingdaos, në provincën Shandong, ndodheshin brenda saj, deklaron Xinhua, por pa specifikuar se çfarë prodhonte fabrika në fjalë. 3 prej tyre u dërguan në spital me plagë të rënda.
Kina, ekonomia e dytë më e madhe e botës, regjistron një rekord të dobët të sigurisë në vendet e punës, teksa fatkeqësitë nëpër minierat e qymyrit janë thuajse një dukuri e zakonshme.
Në qershor 2013, një zjarr i rënë në një thertore shpendësh (pulash) në provincën veri-lindore të Jilin-it, shkaktoi 120 viktima, ndërsa në Nëntor, një shpërthim në një naftësjellës në Qingdao vrau 62 persona.