Home LAJME KLD shkarkon gjyqtarin e Shkodrës

KLD shkarkon gjyqtarin e Shkodrës

Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) shkarkon një gjyqtar të gjykatës së shkallës së parë të Shkodrës ndërsa ka marrë masë disiplinore për 4 gjyqtarë të tjerë.

Tre prej gjyqtarëve për të cilët KLD ka marrë masë disiplinore, paralajmërim nga puna janë pjesë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Krujës, ndërsa gjyqtarja tjetër është Elon Gjoka, gjyqtare në Gjykatën e Tiranës e denoncuar në media për zvarritje të proceseve gjyqësore.

Mbledhja e KLD-së e drejtuar nga Presidenti Nishani zgjati për më shumë se 3 orë. “Në të pesë rastet e propozuar për procedim disiplinor, konstatimi i shkeljeve të bëra nga ana e gjyqtarëve ka qënë iniciativë e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, bazuar në verifikimin e ankesave të qytetarëve të mbërritura pranë këtij institucioni, ankesa të cilat konsistonin në: zvarritje e pajustifikuar e procesit gjyqësor (duke përfshirë edhe vonesat e pajustifikuara ne zbardhjen e vendimeve), shkelje haptazi e ligjit procedural dhe moszbatim i vendimeve unifikuese,” thuhet në njoftimin e KLD-së.

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, kërkoi shkarkimin e dy gjyqtarëve: Albano Çepele, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër për të cilën KLD dhe Nazmije Pengili, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë.

Për të parin KLD votoi pro propozimit të Naços. Për dy gjyqtarë të tjerë të Krujës vetë ministria ndryshoi paraprakisht propozimin nga shkarkim në paralajmërim për shkarkim nga detyra. KLD vendosi shkarkimin nga detyra të Albano Çepele, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor .

Masë disiplinore për Elona Gjokën, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Për një periudhë 2 (dy) vjeçare, ajo do të gjykojë një gjykatë të një niveli më të ulët dhe konkretisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë.

Ndaj Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, Ministri i Drejtësisë kërkoi paraprakisht ndryshimin e propozimit fillestar nga “shkarkim nga detyra” në “vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”.

Pas diskutimeve, Këshilli vendosi të miratojë kërkesën e Ministrit të Drejtësisë. Edhe për Nazmije Pengili, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, Ministri i Drejtësisë kërkoi ndryshimin e propozimit fillestar nga “shkarkim nga detyra” në “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”.

Këshilli miratoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, për masën disiplinore. Ndaj Engjëllushe Tahiri, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, Ministri i Drejtësisë kërkoi masën disiplinore “Shkarkim nga detyra”. Këshilli rrëzoi me shumicë votash këtë propozim të Ministrit të Drejtësisë dhe miratoi propozimin e dytë të tij për masën disiplinore “Vëretje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”.

“Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës Nishani, u shpreh se KLD, nuk do të hezitojë asnjëherë, që ato gjyqtarë, të cilët do të guxojnë të shkelin dhe mosrespektojnë ligjin, do të përballen me masa tepër të ashpra.” informon zyra e shtypit e KLD-së.

Previous articleKrasniqi: Disa pjesëtarë të Njësisë Speciale bartin drogë
Next articleMbi 23 mijë vota të pavlefshme, shprehje e pakënaqësisë