Home LAJME Komunat Zveçan dhe Zubin Potok ndryshojnë statutet

Komunat Zveçan dhe Zubin Potok ndryshojnë statutet

Kuvendet komunale Zveçan dhe Zubin Potok, kanë harmonizuar të enjten mbrëma, përkatësisht ditën e fundit të afatit ligjor, statutet e tyre me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale të Kosovës.

Me dy të tretat e votave, këto dy komuna miratuan ndryshimet e statuteve të tyre.

Fillimi i seancave të mbrëmshme është vonuar rreth dy orë për shkak se kryetarët e katër komunave veriore, si dhe kryesuesit e kuvendeve të këtyre komunave, paraprakisht kanë marrë pjesë në një takim konsultativ që u mbajt në Prishtinë me përfaqësues të Ministrisë së Pushtetit Lokal të Kosovës, që pastaj ka rezultuar me një takim të jashtëzakonshëm në veri të Mitrovicës, para se të fillojnë seancat në Zveçan dhe Zubin Potok.

Në bazë të ndryshimeve të miratuara të enjten mbrëma, tani sipas pikës 5 të statutit të komunës së Zubin Potokut dhe Zveçanit, simbolet e komunës, përkatësisht emblema, flamuri dhe vula, do të definohen me një procedurë të veçantë, e cila po ashtu duhet të miratohet me dy të tretat e votave të delegatëve, transmeton KP.

Kjo do të thotë se stemat dhe vulat e këtyre komunave të miratuara më 12 mars, nuk janë aprovuar.

Previous articleKërkohet qartësi ligjore dhe siguri për gjykatën
Next articleSHBA: Kujdes qytetarë amerikanë gjatë festave në Kosovë