Home LAJME Konfiskohen armë në bastisjen e Elshanëve

Konfiskohen armë në bastisjen e Elshanëve

EULEX-i dhe Policia e Kosovës janë duke kryer bastisje në shtëpitë e familjes Elshani në Ozdrim të Pejës. Zëdhënësja e Policisë së EULEX-it, Dragana Nikoliq Solomon, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se këtë mëngjes Policia e Kosovës ka kryer gjashtë bastisje në rajonin e Pejës lidhur me një hetim për vrasje dhe se gjatë operacionit janë konfiskuar disa armë. Sipas saj hetimi është duke u udhëhequr nga një prokuror ndërkombëtar, shkruan GazetaJNK.

Në një komunikatë të lëshuar pasditen e së mërkurës Policia e Kosovës njofton se ka konfiskuar armë dhe pajisje tjera gjatë bastisjes te shtëpitë e Elshanëve në Pejë.

Sipas Policisë janë konfiskuar dy revole, një pushkë gjuetie, 147 fishekë kalibrash të ndryshëm, ndërsa si prova janë marrë edhe disa shtëpiza kompjuterësh dhe dokumente të ndryshme.

Komunikata shpjegon se pas bastisjeve nuk është arrestuar askush, por provat e marra do të ekzaminohen.

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës të mërkurën në mëngjes nisën bastisjet shtëpitë e familjes Elshani në fshatin Ozdrim të Pejës.

Në këtë bastisje kanë marrë pjesë dhjetëra pjesëtarë të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, kurse operacioni është drejtuar nga një prokurore e EULEX-it e cila nuk ka pranuar të komentojë arsyen e këtyre bastisjeve dhe nëse këto bastisje vijnë pas vrasjeve të fundit në qendër të Pejës.

Bastisja ka filluar në orën 6 të mëngjesit dhe është duke vazhduar, kurse deri më tani tani janë bastisur katër shtëpi në fshatin Ozdrim dhe një shtëpi në Pejë.

Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha se nuk mund të komentojë, pasi që nuk ka ende një raport të shkruar lidhur me bastisjen e familjes Elshani.

“Do të ju njoftojmë me kohë për të dyja çështjet (Elshanët dhe bastisjet në AKP) nëpërmjet një konference shtypi ose nëpërmjet një komunikate”, tha Kelani.

Familja Elshani është në gjakmarrje me familjen Kelmendi nga Peja.

I vrari i fundit është Valdet Kelmendi rreth 28 vjeç, i vrarë më 21 mars të këtij viti në Pejë. Vrasja e tij nxiti reagimin e qytetarëve pejanë që brengosen për mungesë sigurie në këtë qytet. Vrasja dyshohet që është kryer për gjakmarrje.

Previous articleTirana dhe Prishtina të reagojnë për shqiptarët në Maqedoni
Next articlePlaçkitet ProCredit Bank në Prishtinë