Misioni i EULEX-it duhet të vazhdohet edhe për një mandat tjetër në Kosovë, e sidomos pasi që vlerësohet se ky mision është i rëndësishëm për veriun e Kosovës.
Kështu u tha në një debat të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, me temën: “EULEX-i drejt një strategjie përfundimtare-Fuqizimi i shtetit të së drejtës përmes integrimit në BE”.
Kryetari i kësaj OJQ-je, Fisnik Korenica, tha se raporti i tyre, e mbështet vazhdimin e mandatit të EULEX-ti, pasi sipas tij, ekzistojnë disa indikatorë negativ të sundimit të ligjin në Kosovë, që e bëjnë të nevojshme për Kosovën misionin e EULEX-it.
Ai tha se ky mision është i rëndësishëm edhe për veriun e Kosovës, raporton KP. “Raporti shpjegonte se vazhdimi i mandatit ekzekutiv për EULEX-in është i një rëndësie të jashtëzakonshme, sidomos për veriun e Kosovës dhe sidomos për çështjen e luftimit dhe gjykimit të krimeve serioze, që janë dy fusha në të cilat institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë dobësi edhe strukturale edhe dobësi të sjelljes profesionale…”, ka theksuar Korenica.
Ndërsa, Bernard Borchard, shef i EULEX-it në Kosovë, tha se prioritet do të kenë zbatimin e marrëveshjeve për veriun.
Borchard vlerëson se nëse EULEX vazhdon edhe më një mandat, veriu duhet që të integrohet edhe më shumë në institucionet e Kosovës. Ai tha se prioritet do të kenë zbatimin e marrëveshjeve për veriun.
“Misioni duhet të jetë me prioritete të fokusuara në të ardhmen e aspektit strategjik, monitorimin, këshillimin dhe zbatimin të marrëveshjeve, sidomos në veri. Ne dëshirojmë ta përfundojmë atë çka kemi filluar me krime të organizuara, mirëpo neve duhet ende t’i fitojmë disa luftëra, pra ju shoqëria civile duhet ta fitoni luftën kundra krimeve, e ne jemi vetëm në gjendje t`ju ndihmojmë por jo të fitojmë luftën”, ka thënë Borchard.
Gjithashtu edhe Enver Peci, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pohon se EULEX-i duhet të qëndrojë në Kosovë.