Pasi po ka problem t’i marr lojtarët nga Skandinavia, Albert Bunjaku pritet të ftoj disa emra të rinj në ekip për dy ndeshjet e radhës ndaj Turqisë dhe Senegalit. Valmir Sylejmani, Adrian Nikçin e Arlind Ajeti pritet t’i bashkohen përfaqësueses së Kosovës.
Selektori i Kosovës, Albert Bunjaku, për ndeshjet miqësore ndaj Përfaqësueses së Turqisë dhe asaj të Senegalit mund të sjell ndryshime, pasi po ka probleme me grumbullimin e futbollistëve, sidomos të atyre luajnë në skandinavi.
Kosovës në ndeshjen e 21 dhe 25 majit, të cilat nuk janë në datat të lira nga FIFA, pritet t’i mungojnë Anel Raskaj, Avni Pepa (Sandens), Shpëtim Hasanit (Orebro) Loret Sadiku, Ardian Gashi (Helsingborg) dhe Lum Rexhepi (Honka).
Por, Bunjaku bashkë me ndihmësin e tij, Muharrem Sahitin, do të udhëtojnë në Zvicër e Gjermani, për të parë nga afër disa futbollistë. Përzgjedhësi ‘verdhëezi’ pritet të sjell emra të rinj për Përfaqësuesen e Kosovës për dy ndeshjet e radhës.
“Ne duhet t’i përshtatemi kundërshtarit dhe kuptohet se me Turqinë e Senegalin duhet të provojmë ta ngrisim nivelin tonë. Për këtë unë do të udhëtojë bashkë me Muharrremin edhe në Zvicër e Gjermani për të shikuar nga afër lojtarët për të cilët jemi të interesuar”, u shpreh për Express, Bunjaku, duke mos dashur të zbulojë emra.
Por, Gazeta Express ka mësuar se Bunjaku për dy ndeshjet e radhës në ekip për herë të parë do të ftojë: Valmir Sylejmanin (Hannover), Adrian Nikçin (Thun), Arlind Ajetin (Basel), Berat Xhymshitin (Zurich)
Kosova do të luajë kundër Turqisë më 21 maj në stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, teksa katër ditë më vonë, më 25 maj, do të përballet me Senegalin në Gjenevë të Zvicrës