Ministria e Diasporës do të fillojë hartimin e regjistrit të diasporës dhe mërgatës. Regjistrimi do të behët nëpërmjet formës elektronike dhe nëpërmjet formularëve.
Ministria kosovare e Diasporës ka nisur procedurat për t’i regjistruar të gjithë mërgimtarët që gjenden nëpër botë. Nëpërmjet një reklame televizive dhe në internet, MD ka filluar fushatën e evidentimit të të gjithë kosovarëve që gjenden në diasporë.
“Ministria e Diasporës në pajtim me ligjin për mërgatën dhe diasporën e Kosovës do të fillojë hartimin e regjistrit të diasporës dhe mërgatës. Regjistrimi do të behët nëpërmjet formës elektronike dhe nëpërmjet formularëve”, thuhet në njoftim.
Formularët, sipas MeD, mund të gjenden në gjitha ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, në të gjitha komunat e Kosovës dhe nëpër të gjitha pikëkalimet, në Aeroportin “Adem Jashari” dhe në zyrat e Ministrisë së Diasporës.
“Të dhënët nga regjistri janë të nevojshme për lehtësimin e procedurave administrative, si për nxjerrjen e dokumenteve personale, asistencë në çështje biznesore dhe për të gjitha nevojat e diasporës dhe mërgatës”, thuhet në njoftimin lëshuar më internet dhe TV.
Për t’u njoftuar për procedurat, bashkatdhetarët sipas Ministrisë së Diasporës, mund të vizitojnë faqe: www.rdks.info.
Institucionet e Kosovës janë të vetmet në rajon që nuk e dinë se sa popull përfaqësojnë në diasporë. Në dekadën e fundit janë dhënë shifra të ndryshme nga 300 mijë, në 500 mijë e 700 mijë kosovarë që jetojnë jashtë vendit.
Që këto shifra të zyrtarizohen, Prishtina zyrtare ka filluar të bëjë plane që në vitin 2013 të fillojë regjistrimin e diasporës. Mirëpo siç duket, për shkak të kompleksitetit ky proces është vonuar. /RadioRINIA/