Kosovarët, pa viza në Panama

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim Presidentin e Republikës së Panamasë, Ricardo Martinelli, në shoqërim të të cilit ishin edhe ministri i jashtëm i Panamasë, zotëri Francisco Alvarez de Soto, dhe ministri i Ekonomisë dhe Industrisë, zotëri Ricardo Quijano.

Gjatë takimit, Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Martinelli biseduan për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy vendeve, të investimeve të huaja, për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës si dhe për shtimin e njohjeve për Kosovën nga rajoni i Amerikës Qendrore dhe Jugore.

Presidentja Jahjaga, duke i uruar mirëseardhje Presidentit Martinelli, tha se Kosova dhe Panamaja po ndërtojnë marrëdhënie shumë të mira ndërmjet vete dhe se zgjerimi i bashkëpunimit është i nevojshëm posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik.

Presidenti i Panamasë, zotëri Ricardo Martinelli, theksoi se vendi i tij do të ndihmojë Kosovën në proceset e saj demokratike dhe në procesin e konsolidimit ndërkombëtar të saj. Presidenti Martinelli njoftoi që e ka përfshirë Kosovën në listën e vendeve miqësore për udhëtim pa viza dhe për mundësinë e punës për qytetarët e Kosovës.

Ai tha se Panamaja është e interesuar që të lidhë marrëdhënie të fuqishme me Republikën e Kosovës, posaçërisht në fushën e ekonomisë dhe të investimeve.

Presidenti Martinelli po qëndron në Kosovë vetëm pak muaj pas vizitës zyrtare të Presidentes Jahjaga në Panama.