Komisioni i Pavarur për Media mund të mos e përfillë vendimin e Qeverisë, për shkurtimin e 15 për qind të buxhetit, për mallra dhe shërbime.
Sipas Hykmete Bajramit, anëtare nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, është e padrejtë që institucionet që i raportojnë Kuvendit, dhe për buxhetin e të cilave vendosë Kuvendi, të kenë këtë shkurtim.
Shqetësimin për këtë çështje e ka shprehur edhe kryetari i KPM-së, Adnan Merovci, për vendimin e Qeverisë për zvogëlim për 15 për qind të buxhetit, duke kërkuar që edhe në rishikim të dërgohet çështja e kompensimit për disa aktivitete që rrjedhin si rezultat i zgjedhjeve.
Ai si problem ka përmendur edhe çështjen e pagave dhe punëtorëve, duke kërkuar rritjen e numrit të punëtorëve, që sipas Merovcit ka ardhur pas rritjes së vëllimit të punëve, raporton KosovaPress.
Këto diskutime janë bërë gjatë diskutimit të Raportit vjetor financiar të KPM-së, për vitin 2013, në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës.
Komisioni ka miratuar edhe Raportin vjetor financiar edhe të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të dhënave Personale për vitin 2013.
Në këtë Komision, ndër tjerash është miratuar edhe Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme me amendamentet e Komisionit funksional për Legjislacion. /