Home LAJME Krasniqi: Disa pjesëtarë të Njësisë Speciale bartin drogë

Krasniqi: Disa pjesëtarë të Njësisë Speciale bartin drogë

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë ka pranuar 17 ankesa nga zyrtarë të institucioneve të ndryshme lidhur me procedurën e verifikimit nga Departamenti i Verifikimit të AKI-së.

Kryetari i Komisionit, Florin Krasniqi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se, një pjesë e vogël e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, janë krimi i organizuar në Kosovë.

Prandaj sipas tij, qëllimi i shqyrtimit të këtyre ankesave është që personat që kanë bërë krim të organizuar dhe kanë përdor dhunë ndaj qytetarëve, të mos avancohen më tutje në Policinë e Kosovës, dhe askujt të mos i bëhet asnjë padrejtësi.

Krasniqi, ka shtuar se Agjencia gjatë verifikimit “ka shkuar shumë larg rreth lidhjeve familjare”.

Ai ka thënë se dëshirojnë të bëjnë shkëputjen familjare ose klanore, duke shtuar se njerëzit do të japin përgjegjësi vetëm për veprimet e tyre e jo edhe për veprimet e familjarëve, raporton KosovaPress, transmeton Telegrafi.

“Unë e kam thënë disa herë, se një pjesë e vogël e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, janë pothuajse krimi i organizuar në Kosovë, ata bëjnë bartjen e pareve, bartjen e drogave, ata janë baza e krimit. Krejt esenca e ligjit është me i largu ata njerëz. Në qoftë se nuk arrijmë me i largu kriminelët prej policisë dhe rendit publik, atëherë ne kemi shumë problem”, citohet të ketë thënë Krasniqi.

Krasniqi, ka shtuar se vazhdimisht kanë ardhur ankesa në komision dhe se nuk është i limituar numri i ankesave.

Sipas tij, nëse dikush ka informata të sakta se ndonjë kriminel është në radhët e Policisë, burgjeve ose që punon për Institucionet e Kosovës, t’ua sjellin provat që pastaj komisioni t’ia drejton AKI-së.

Previous articleJacobson me liderët diskuton për Gjykatën Speciale dhe mandatin e EULEX-it
Next articleKLD shkarkon gjyqtarin e Shkodrës