Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, nuk ka pritur seancën plenare për t’u shfajësuar nga vonesa në miratimin e Ligjit për Veteranët e UÇK-së. Përmes një statusi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, Krasniqi ia ka kujtuar Muharrem Xhemajlit të OVL të UÇK-së se bashkë kanë biseduar edhe herëve të tjera.
“Besoj që e di ku qëndron problemi, por nuk e kam të qartë pse njerëzit kanë dëshirë të mashtrohen 101 herë në ditë”, ka shkruar Krasniqi.
“I nderuar as unë as Kuvendi nuk është fajtor pse ligji nuk është miratuar. Pse qeveria nuk e solli ligjin më herët? Pse Komisioni Qeveritar nuk e përfundoj obligimin e marr nga Qeveria për nr të veteranëve? Pse Qeveria nuk bëri identifikimin e veteranëve që kanë gjendjen e rëndë ekonomike? Pse qeveria nuk e bëri një plan për punësimin e atyre njerëzve për të cilët nuk i ra ndërmend gjatë gjashtë viteve të qeverisjes së Thaçit e i bie tani kur i duhet vota e tyre? Ligji sigurisht që do të miratohet, por a është planifikuar në buxhetin e vitit 2014?”, kanë qenë pyetjet që ka shtruar Krasniqi.
Krasniqi i ka thënë Xhemajlit, se “Kryeministri ashtu si po luan me veteranet, po luan me ju dhe të burgosurit politikë dhe me gjithë skamnorët e Kosovës”.
“Me të gjithë të papunët e Kosovës. Ai, para pak dite ua rriti rrogat zyrtarëve të lartë, disa herë më shumë sesa kategorive që marrin lëmoshë nga Qeveria Thaçi. Kush donë të mashtrohet le të mashtrohet. Unë nuk mbaj përgjegjësi as për mashtruesin e as për ata që donë të mashtrohen”, ka shkruar Krasniqi.
Ta dish edhe ketë, i ka thënë në fund Krasniqi, Xhemajlit. “Sa herë që ka pasur kërkesa për të bërë shmangie nga Rregullorja e Punës së Kuvendit, unë i kam hapur udhë pa e bërë as më të voglën pengesë. Por që ta dish, nëse nuk e di, shumicën në Kuvend e ka koalicioni qeverisës që komandohet nga Thaçi. Ti e di që me komandën e Thaçit, Behgjet Pacolli është bërë President i Kosovës. Pse nuk është miratuar ligji është dashur ta pyesësh Thaçin”.