Kryeministri Isa Mustafa priti në takim sekretarin shtetëror të Ministrisë së Drejtësisë të Hungarisë, Barna Berke

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka pritur të enjten në takim sekretarin shtetëror të Ministrisë së Drejtësisë të Hungarisë, Barna Berke.

 Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa e informoi z. Berke për progresin e vazhdueshëm që po arrihet në Kosovë në të gjitha fushat dhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, punësimin, mirëqenien, sundimin e ligjit, agjendën integruese evropiane si dhe reformat thelbësore në shumë fusha të jetës.

 Kryeministri Mustafa po ashtu vlerësoi lartë bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke veçuar edhe Marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike, të nënshkruar ndërmjet ministrive të drejtësisë të dy vendeve, para pak ditësh.

 Kryeministri Isa Mustafa falënderoi Hungarinë për përkrahjen e dhënë për Kosovën deri më tani, duke kërkuar vazhdimin e mbështetjes, me theks të veçantë në proceset integruese evropiane dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.

 Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Drejtësisë të Hungarisë, Barna Berke, e falënderoi kryeministrin Mustafa për pritjen, duke vlerësuar lartë bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

 Berke veçoi rëndësinë e nënshkrimit të Marrëveshjes së fundit për ndihmë të ndërsjellë juridike dhe thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.