Home LAJME Kryeministri Isa Mustafa priti zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Hoyt...

Kryeministri Isa Mustafa priti zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Hoyt Yee

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të enjten në takim zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit të SHBA-ve, Hoyt Yee.

 

Gjatë takimit, z. Yee e përgëzoi kryeministrin Mustafa dhe Qeverinë e Kosovës për marrëveshjen e arritur në Bruksel për drejtësinë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të SHBA-ve për procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve ndërmjet  Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

 

Kryeministri Mustafa dhe zëvendës ndihmës sekretari Yee, biseduan edhe për prioritetet e ardhshme të Qeverisë së Kosovës dhe në veçanti për adresimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi z. Yee me angazhimet konkrete të Qeverisë së Kosovës në luftimin e këtyre dukurive dhe në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit si dhe në thellimin e reformave për zhvillimin ekonomik  dhe përmirësimin e ambientit për investimet e huaja duke përfshirë edhe investimet amerikane në Kosovë.

 

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit i SHBA-ve, Hoyt Yee, rikonfirmoi mbështetjen e  gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, duke përfshirë edhe proceset integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike, si dhe në fuqizimin e mëtutjeshëm të partneritetit ndërmjet SHBA-ve dhe Republikës së Kosovës.

 

Previous articleMustafa: Marrëveshja siguron sistem unik të drejtësisë
Next articleSot, vazhdimi i seancës së Kuvendit