Home LAJME Kryeministri turk Rexhep Erdogan, vizitë zyrtare në Shqipëri më 14 maj

Kryeministri turk Rexhep Erdogan, vizitë zyrtare në Shqipëri më 14 maj

Shqipëria po përgatitet për t’u bërë partneri strategjik i 17-të i Turqisë

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri më datën 14 maj. Gjatë kësaj vizite njëditore pritet të nënshkruhet dhe marrëveshja e partneritetit strategjik mes dy qeverive. Shqipëria po përgatitet për t’u bërë partneri strategjik i 17-të i Turqisë. Sipas faqes informative turke “gazetea24”, Erdogan do të udhëtojë për në Shqipëri bashkë me një delegacion që do të nënshkruajë disa marrëveshje të rëndësishme me Shqipërinë. Vizita Mësohet se vizita zyrtare e zotit Erdogan është njëditore dhe vjen pas ftesës që Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i ka bërë homologut të tij turk. Siç mësohet, gjatë vizitës së tij në Tiranë kryeministri turk Erdogan, përveç takimeve me kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama, do të pritet nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, do të zhvillojë një takim me Kreun e Kuvendit, Ilir Meta, si dhe do të mbajë një fjalim të posaçëm në Parlamentin e Shqipërisë. Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan dhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama do të drejtojnë edhe takimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Shqipëri-Turqi, që do të zhvillohet po më datën 14 maj. Marrëdhëniet me Turqinë kanë marrë një shtysë të fuqishme pas ardhjes në pushtet të mazhorancës së majtë së kryesuar nga Edi Rama, i cili i ka cilësuar si “strategjike” relacionet me Ankaranë.

Që prej qershorit të 2013-ës janë intensifikuar vizitat e zyrtarëve shqiptarë në Turqi dhe anasjelltas duke krijuar një bazë substanciale të partneritetit mes dy vendeve. Kryeministri Edi Rama, e ka vizituar dy herë Turqinë, njëherë para zgjedhjeve të 23 qershorit dhe një herë më pas, ku është pritur jo vetëm nga homologu i tij Erdogan por nga një ekip i zgjeruar të qeverisë turke. Në këto takime është konstituuar dhe “Këshilli i Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Shqipëri- Turqi”. Shqipëria dhe Turqia kanë pasur historikisht marrëdhënie të mira por kjo do të jetë hera e parë që mes dy vendeve do të firmoset një marrëveshje për partneritet strategjik. Turqia dhe Shqipëria do të firmosin gjithashtu dhe një Marrëveshje të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Strategjik me një volum tregtimi nga 400 milionë deri në 1 miliard dollarë.

Ndërkohë që pak ditë më parë në Tiranë ishte zëvendëskryeministri turk, Emrullah Isler i cili tha se, marrëveshje mes dy vendeve mund të firmosët në maj kur në Shqipëri të mbërrijë Erdogan. Në takimin që zëvendëskryeministri i Turqisë zhvilloi me Ramën u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve ndërsa u theksua forcimi i mëtejshëm i tyre në të ardhmen. Zëvendëskryeministri Emrullah Isler i përcolli Kryeministrit Rama përshëndetjet e Kryeministrit Recep Tayyip Erdogan dhe në emër të tij shprehu angazhim e mbështetje për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryeministri Edi Rama e falënderoi zotin Emrullah Isler për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë Shqipërisë dhe e konsideroi sfidë materializimin e partneritetit, çka do të ndikojë edhe në rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve tregtare, kulturore, sociale, etj. Në takim u vlerësua si tepër i rëndësishëm dimensioni ekonomik i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe në këtë kuadër, Zv/ kryeministri Emrullah Isler theksoi se ekzistojnë potenciale të mëdha për të çuar më tej si marrëdhëniet tregtare, ashtu edhe investimet. Gjithashtu, zoti Emrullah Isler e siguroi Kryeministrin Rama se qeveria turke do të mbështesë realizimin në Shqipëri të një seri projektesh infrastrukturore, në kuadër edhe të ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Previous articleHapet Panairi i Karrierës
Next articleFrikë për vjedhje