Ekspedita e shtegtarëve që janë nisur në këmbë nga Gjilani për në Bruksel aktualisht ndodhen në Rozhajë të Malit të Zi, ku për shkaqe shëndetësore kryesuesi i grupit “Shtegtarët e Lirë”, Ekrem Avdija do ta ndërpretë rrugëtimin, derisa katër shtegtarë të tjerë do të vazhdojnë rrugën tutje.
Avdija i ka thënë se ka probleme me zemër, por ka edhe dhembje në kokë nga lëndimet që kishte marrë në sulmin e serbëve në Graqanicë.
Ndryshe, Grupi “Shtegtarët e Lirë”, janë nisur në këmbë prej Gjilanit për në Bruksel, për të përçuar mesazhin e domosdoshmërisë për një lëvizje të lirë, pa viza, për të gjithë, pasi edhe Kosova është Evropë. Simbolika e ecjes drejt Brukselit ka qëllimin e madh që ta përçojnë kërkesën e qytetarëve të Republikës së Kosovës për lëvizje të lirë, për mundësi të lirë dhe mundësi të barabartë me të gjithë popujt e Evropës.
Rrugëtimi i tyre parashihet të zgjasë 78 ditësh e ku pritet të kalojnë mbi 2500 kilometra në këmbë deri në Bruksel ku pritet të arrijnë më 17 korrik, në orën 14 e 20 minuta.