Koalicioni Anti-Duhan i Kosovës, që përfaqëson më shumë se 20 subjektet qeveritare dhe jo qeveritare dhe përfaqësues të Organizatave Ndërkombëtare në Kosovë, siç janë MSh-ja, OBSH-ja KADC-ja, janë shprehur kategorikisht kundër çdo ndryshimi në Ligjin për Kontrollin e Duhanit, duke vlerësuar se një ndryshim i tillë, do të jetë tërësisht në dëmtim të shëndetit publik të qytetarëve të Kosovës.
Kompanitë e Duhanit, kanë marr një nismë që t’i propozohet Kuvendit të Kosovës ndryshimi i nenit 9.2 të ligjit mbi kontrollin e duhanit, për çka Koalicioni Anti-Duhan po konsideron se po bëhet për përfitime të industrisë së duhanit, në dëm të shëndetit publik.
Drejtori ekzekutiv i KADC-së, Shkumbin Spahija, u ka bërë thirrje deputetëve që mos i nënshtrohen presionit të industrisë së duhanit, për të ndryshuar këtë nen, i cili ndalon ekspozimin e duhanit në pikat e shitjes.
Për Koalicionin Anti-Duhan është shqetësues nxitimi i disa deputetëve të Kuvendit që nën presionin e industrisë së duhanit, të qesin në shqyrtim në parim ndryshimin e këtij neni. Sipas tyre, praktika e deritanishme ka treguar se bizneset kanë respektuar këtë nen, duke mos ekspozuar duhanin në pikat e shitjes, dhe se nuk ka asnjë të dhënë që mos ekspozimi ka ndikuar në profitin e tyre.
Kundërshtimin e ndryshimit të këtij neni, e ka theksuar edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Shefi i OBSH-së në Kosovë Skënder Syla theksoi se ata janë fuqimisht kundër çdo nisme që cenon rënd shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës.