Home LAJME LDK refuzon familjarisht Gecët

LDK refuzon familjarisht Gecët

​Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për shtyp, njofton se lista e kandidatëve për deputetë nga radhët e LDK-së, do të përpilohet në bazë të kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.

“Këto kritere bazohen në numrin e votave që ka marrë partia nëpër degë dhe në kontributin e anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. Në këto kritere është dhënë edhe mundësia e kandidimit të pjesëtarëve të shoqërisë civile, ekspertëve dhe personaliteteve të rëndësishme të shoqërisë, të cilët janë të pastër para ligjit dhe të cilët e përkrahin vizionin e LDK-së për një shoqëri demokratike dhe një vend të zhvilluar ekonomikisht, ku sundon rendi dhe ligji”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së, kërkesa e familjes Geci për të qenë njëri nga ata (Fadil Geci) pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të LDK-së, “nuk është në harmoni me kriteret e përcaktuara nga Këshilli dhe është jashtë procedurave të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së”.

“Secili që ka pretendime për të marrë besimin e qytetarëve, mund të kandidojë edhe si kandidat i pavarur. LDK-ja zotohet se pjesë e listës së saj do të jenë personalitete të rëndësishme të partisë dhe shoqërisë, të cilët janë të gatshëm të bëjnë ndryshimin e kërkuar nga qytetarët”, thuhet në fund të komunikatës.

Gani Geci dje ka thënë se kanë mbledhur mbi 10 mijë nënshkrime për të kërkuar nga LDK-ja që në listën e kandidatëve për deputetë të futet Fadil Geci.

Previous articleGenta thotë SHUJ!
Next articleZgjedhjet e shpejta, handikap për mërgatë