Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet e brengosur me situatën në shëndetësinë kosovare, e cila, sipas kësaj partie, është pasojë direkte e mosinteresimit dhe lënies pas dore të këtij sektori nga ana e Qeverisë.
“Mos funksionalizimi i shërbimit shëndetësor, mungesa e efikasitetit në punë dhe kriminalizimi i dukshëm i këtij sektori, janë tregues të qartë për paaftësinë e Qeverisë aktuale”, thuhet në një reagim.
Sipas LDK-së, “përdorimi i fëmijëve të sëmurë nga sëmundje shumë serioze për qëllime të propagandës politike dhe për parafushatë zgjedhore nga ana e z. Thaçi dhe drejtuesve të QKUK-së, shërbëtorë politikë të pushtetit, paraqet mungesë elementare të etikës politike dhe njerëzore”.
“Problemet në shëndetësi janë tepër të rënda dhe kërkojnë angazhim të madhe e seriozitet që të zgjidhjen. Ato nuk mund të zgjidhen me propagandë, demagogji dhe vizita morbide të kryeministrit”, thuhet në fund të kumtesës.