Home Uncategorized Lëshohen mbi 300 mijë pasaporta biometrike

Lëshohen mbi 300 mijë pasaporta biometrike

pasKos_bioPrishtinë – Që nga muaji qershor, kur ka nisur dhënia e pasaportave biometrike, deri më tani janë pajisur mbi 300 mijë qytetarë me pasaporta biometrike. Gjatë këtij muaji pritet të fillojë edhe lëshimi i letërnjoftimeve biometrike.

Besnik Vasolli, koordinator teknik për liberalizim të vizave në Ministrinë e Integrimit, ka thënë për “Epokën e re” se Kosova po punon sa i përket përmbushjes së kritereve nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave. “Sa i përket sigurisë së dokumenteve, i kemi lëshuar mbi 300 mijë pasaporta biometrike deri më tani. Gjatë këtij muaji fillojmë lëshimin e letërnjoftimeve biometrike. Janë bërë të gjitha përgatitjet. Kemi një sistem të ri të gjendjes civile, i cili është duke u aplikuar në tërë Kosovën, po ashtu regjistrat themeltarë apo të ashtuquajturit librat amzë që janë kthyer nga Serbia kanë hyrë në fuqi dhe janë duke u shfrytëzuar në raste të ndryshme, më së shumti për t’i verifikuar të dhënat personale”, ka thënë Vasolli.

Kurse sa i përket migrimit dhe azilit, Vasolli ka treguar se kanë rritur numrin e policëve kufitarë, të cilët e mbikëqyrin vijën kufitare me shtetet e rajonit. “Kemi marrëveshje me shtetet e rajonit dhe me KFOR-in. Me Malin e Zi jemi duke e përfunduar demarkacionin e kufirit, kurse me Maqedoninë është përfunduar para disa viteve. Gjithashtu, i kemi pajisur pikat kufitare dhe vijën kufitare me softuerë të nevojshëm për një monitorim më të mirë të kufirit. Kjo është bërë në bashkëpunim me projektin e komisionit evropian, Ambasadës Amerikane dhe projekte të tjera.

Kemi shkuar edhe më shumë se që kërkohet konkretisht me liberalizimin e vizave, me ç’rast kemi iniciuar regjimin e vizave, i cili nuk kërkohet në udhërrëfyes, por as në rekomandimet e Komisionit Evropian. Sidoqoftë, e kemi vlerësuar si të rëndësishëm për ta menaxhuar migrimin e parregullt në vendin tonë, kështu që kemi vendosur ta funksionalizojmë një sistem të regjimit të vizave, i cili tashmë është duke u funksionalizuar në tërë ambasadat dhe përfaqësitë konsullore të vendit. Deri më tani kemi lëshuar 400 viza për shtetas të huaj, të cilët kanë aplikuar për të hyrë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Vasolli.

Ai ka treguar se tashmë është edhe Qendra për Azil, e cila i plotëson kushtet dhe standardet e caktuara nga BE-ja. “Tani kemi edhe një qendër për mbajtjen e përkohshme të të huajve. Për herë të parë kemi një familje azilkërkuesish nga Siria. Kësaj familje i kemi dhënë mbrojtje të shtuar ndërkombëtar. Kërkesa e kësaj familjeje është verifikuar, pastaj është vlerësuar se kanë bazë për t’u ofruar mbrojtje të shtuar ndërkombëtare në Kosovë. Tanimë kjo familje përfiton nga sistemi i ndihmës sociale të Republikës së Kosovës, fëmijët e kësaj familje shkojnë në shkollë, janë duke mbajtur kurse të gjuhës dhe përfitojnë nga i tërë sistemi social i vendit tonë. Ky është progresi që kemi arritur dhe presim që këto pune që kemi bërë si institucione të Republikës së Kosovës të vlerësohen nga Komisioni Evropian”, ka thënë Vasolli. shkruan Epoka e re. /RadioRINIA/
Previous articleHaziri: Nuk guxon të dëmtohet buxheti komunal në asnjë mënyrë
Next articleHaziri: Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve