Çështja e votimit për themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës ka mbledhur liderët e partive politike në Ambasadën Amerikane në Prishtinë.
Në takimin që zgjati më shumë se tri orë, ku nikoqire ishte ambasadorja Tracey Ann Jacobson, ishin të pranishëm kryeministri Hashim Thaçi, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj e liderë të tjerë partish, përveç Lëvizjes Vetëvendosje. Në takim ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zbogar.
Pas takimit, kryeministri Thaçi tha se do të vazhdojnë edhe më tej diskutimet për çështjen e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe për zgjedhjet e përgjithshme, raporton RTK.
Dy çështje janë diskutuar në takimin e organizuar nga ambasadorja amerikane, Tracey Ann Jacobson me liderët e partive politike. Mundësia e votimit të themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe çështja e zgjedhjeve të përgjithshme.
Të pranishëm në këtë takim ishte edhe Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, parti kjo që ka shprehur mbështetjen për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, por është këmbëngulëse kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara që është vënë si kusht nga pakicat.
Kryeministri, Hashim Thaçi ishte i vetmi që iu adresua mediave pas takimit të gjatë. Ai tha se ky takim ishte mjaft konstruktiv, por kërkohen edhe diskutime të tjera sa i përket çështjes së votimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.
“Ky ishte një diskutim shumë konstruktiv dhe korrekt dhe orientimisht jemi që të shkohet të diskutohet edhe në ditët e ardhshme që të votohet për Forcat e Armatosura të Kosovës, duke mos e kushtëzuar asnjë parti njëra-tjetrën me çështje që janë diskutuar ditëve të kaluara”, u shpreh Thaçi.
Kryeministri Thaçi ishte i shkurtër në deklaratën e tij, duke mos thënë qartë nëse ka marrëveshje për vendet e rezervuara për pakicat, duke mos dashur as të përgjigjet në pyetje.
Gjithsesi ai tha se në këtë takim, u diskutua edhe për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, për të cilat tha se kërkohet një veprim i koordinuar i spektrit politik.
“Jemi dakorduar që të takohemi në ditët e ardhshme që përsëri të diskutojmë për kohën e organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme, ndërsa natyrisht të shkojmë me një veprim të koordinuar të spektrit politik kosovar edhe për periudhën kohore të organizimit të zgjedhjeve, për formën dhe mënyrën, në mënyrë që të jetë një proces i lirë, fer, demokratik, me vëzhgim edhe amerikan edhe evropian, të fitojmë të gjithë”, u shpreh Thaçi.
Sa i përket PDK-së, Thaçi tha se partia e tij është e interesuar që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen sa më shpejt që është e mundur.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në seancën që do ta mbajë më 5 maj, ka në rend dite çështjen e shndërrimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.