Home LAJME Ligji për ushtrinë, si përfitohet rritja në gradë

Ligji për ushtrinë, si përfitohet rritja në gradë

Qeveria e Shqipërisë miratoi dje ligjin për karrierën në Forcat e Armatosura i cili sanksionon për herë të parë në mënyrë të detajuar vitet e detyrës dhe moshën e secilit efektiv për rritjen në gradë.

Ligji ka për qëllim përcaktimin e kritereve për pranimin në Forcat e Armatosura, rendin e gradave, përparimin në gradë dhe karrierë, ndërprerjen e karrierës ushtarake, si dhe të autoriteteve përgjegjëse për zhvillimin e karrierës në Forcat e Armatosura. Po nuk përparove në gradë, sipas ligjit, del në rezervë.

“Ushtarakët, me pranimin e tyre në shërbimin ushtarak aktiv, nënshkruajnë kontratë. Për ushtarët/detarët: Kontrata lidhet për një afat jo më pak se 3 vjet me të drejtë ripërtëritjeje. Kohëzgjatja e ripërtëritjes së kontratës është 3-vjeçare dhe nuk duhet të kalohet mosha maksimale e përcaktuar në nenin 14, të këtij ligji. Kontrata nënshkruhet midis ushtarakut dhe Forcave të Armatosura”, thuhet në nenin 9 të ligjit për karrierën në ushtri.
ARSIMIMI PER GRADEN
Arsimimi dhe kualifikimi për përparim në gradë
1. Ushtarakët e Forcave të Armatosura, për të fituar gradën e radhës, duhet të plotësojnë kriteret e arsimimit dhe të kualifikimit, si më poshtë vijon:
a) Oficerët:
i. Nëntogeri, për të fituar gradën e togerit, të ketë kryer kursin bazë të oficerit ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;
ii. Togeri, për të fituar gradën e kapitenit, të ketë kryer kursin e avancuar të oficerit ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;
iii. Kapiteni, për të fituar gradën e majorit, të ketë kryer kursin themelor të oficerit të shtabit ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;
iv. Majori, për të fituar gradën e nënkolonelit, të ketë kryer kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;
v. Nënkoloneli, për të fituar gradën e kolonelit, të ketë kryer kursin e lartë të oficerit ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;
vi. Koloneli, për të fituar gradën gjeneral brigade, të ketë kryer kursin e lartë për sigurinë dhe mbrojtjen ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;
vii. Gradimi gjeneral major/nënadmiral dhe gjeneral lejtnant/admiral bëhet në bazë të meritave, përgatitjes dhe aftësive profesionale, të vlerësuara nga Komisioni i Veçantë i Karrierës.
b) Nënoficerët:
i. Nëntetari, për të fituar gradën tetar, duhet të ketë kryer kursin bazë të nënoficerit;
ii. Tetari, për të fituar gradën rreshter, duhet të ketë kryer kursin e avancuar të nënoficerit;
iii. Rreshteri, për të fituar gradën kapter, duhet të ketë kryer kursin e lartë të nënoficerit;
iv. Kapteri, për të fituar gradën kryekapter, duhet të ketë kryer kursin e kryekapterit.
c) Ushtarët:
i. Kursanti, për të fituar gradën ushtar/detar I, duhet të ketë kryer stërvitjen bazë;
ii. Ushtari/detari I, për të fituar gradën ushtar/detar II, duhet të ketë kryer stërvitjen individuale të avancuar.
NENI 25
Dalja në rezervë e ushtarakëve
1. Ushtaraku del në rezervë nga shërbimi aktiv kur ka plotësuar njërin nga kushtet e mëposhtme:
a) Ka plotësuar afatin e parashikuar në kontratë;
b) Ka plotësuar moshën e përcaktuar në nenin 14, të këtij ligji;
c) Ka plotësuar kohën e qëndrimit në shërbimin aktiv sipas pikës 2, të nenit 13, të këtij ligji për gradat respektive;
ç) Ka tre vlerësime vjetore “pamjaftueshëm” gjatë kohës së qëndrimit në një gradë;
d) Paraqet kërkesën dhe ajo miratohet nga organi përgjegjës. Organi përgjegjës kthen përgjigje brenda tre muajve. Në rast se organi përgjegjës nuk kthen përgjigje brenda këtij afati, kërkesa quhet e miratuar.
dh) Kur bëhen shkurtime në numrin e përgjithshëm të personelit të Forcave të Armatosura. Në këtë rast, kriteret e përzgjedhjes së ushtarakëve që dalin në rezervë përcaktohen me udhëzim të ministrit të Mbrojtjes, sipas propozimit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Previous articleVret foshnjën me jastëk, vjehrra: Më tha “e mbyta pa dashje me gji”
Next articleHipertensioni, ushqimet që duhet të konsumoni