Limaj: Edhe ne i kemi harruar masakrat e Serbisë ndaj shqiptarëve

Lideri i Nismës, Fatmir Limaj, i cili gjendet për të bërë homazhe në nder të viktimave të masakrës së Reçakut, tha se ‘ky krim ka qenë një ndër planet e Serbisë për të shfarosur popullin shqiptarë’.

Duke folur për deklaratën e ministrit Aleksandër Jabllanoviq, i cili nënat e viktimave gjakovare i quajti ‘egërsira’, tha se një veprim i tillë i tij nuk është për t’u befasuar.

“Nuk më befasojnë as deklaratat e djeshme të kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiq që vizitojë Kosovën. Vuqiq është pjesë e asaj qeverie, asaj udhëheqjeje që kanë hartuar planin strategjik për largimin e shqiptarëve nga Kosova, për dhunën ndaj shqiptarëve, për gjenocidin, shfarosjen tonë”, u shpreh ai.

“E aq më shumë nuk është për t’u befasuar nga deklaratat e tilla të ministrave serbë”, pasi që siç u shpreh ai “Jo vetëm Jabllanoviq, por edhe ne i kemi harruar masakrat e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë”.

Limaj ashtu edhe shumë liderë të tjerë të qeverisë së Kosovës, po qëndrojnë në Reçak, në përkujtim të viktimave të masakrës që ndodhi aty, 16 vjet më parë.