Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj tha se shpreson që përbërja e re parlamentare dhe ajo qeveritare të mos trajtohet në asnjë mënyrë qysh po trajtohen këto institucione aktualisht.
Limaj tha se Kuvendi shumë herë po ndodhet para aktit të kryer kur po bëhet fjalë për çështje të rëndësishme.
“Çështja për të cilën po diskutojmë sot është tejet e rëndësishme dhe do të duhej të kishim një qasje më serioze”, tha ai.
Ai duke iu drejtuar ndërkombëtarëve tha ‘mos kërkoni çdo ditë nga Kosova të dëshmohet, të dëshmohet… i shkoi jeta duke dëshmuar’.
Limaj tha se Kosova nuk ka pse të frikësohet, as të fsheh të kaluarën e saj.
Ai shtroi pyetjen, pse Kosova duhet të trajtohet e veçantë në ish-Jugosllavi, kur Gjykata e Hagës është marrë me gjykimet për ish-Jugosllavinë.