Home LAJME Limani i përgjigjet Mustafës: Për gjendjen në RTK nuk ka faj veç...

Limani i përgjigjet Mustafës: Për gjendjen në RTK nuk ka faj veç Qeveria, por edhe LDK, AAK e VV

Drejtori i Televizionit Publik, Mufail Limani i është përgjigjur akuzave të kryetarit të LDK’së, i cili tha se Qeveria e Kosovës e ka keqpërdor RTK’në për qëllime propagandistike.

Limani ka thënë se fajtor për gjendjen në RTK nuk është vetëm Partia e Hashim Thaçit dhe Qeveria, por janë edhe LDK, AAK e Vetëvendosje.
“…jo vetëm PDK dhe kjo Qeveri, por edhe LDK, sikurse edhe AAK dhe, në një mënyre specifike, edhe Lëvizja Vetëvendosje me aktivistët e saj në media e OJQ, po ashtu kanë sa përgjegjësi e faje po aq edhe merita për gjendjen e RTK-së dhe për gjendjen në RTK”, ka shkruar Drejtori i RTK’së.

“Flas në radhë të parë për përpjekjet dhe presionet e pandërprera politike që RTK ose të kontrollohet në mënyre totale ose të pengohet e mbase edhe te pamundësohet në funksionimin normal”, ka shtuar ai.

Lexojeni të plotë reagimin e Mufail Limanit:

Përgjigje për z. Isa Mustafa

I nderuari z. Mustafa

Keni shkruar “Ne do ta zgjidhim brenda 100 ditëve të para të qeverisjes sonë çështjen e financimit të transmetuesit publik-RTK. “

Besoj se ky është urimi më i mirë i mundshëm për ditën e Lirisë së Shtypit.

Një premtim i mirë nga një figurë serioze dhe e përgjegjshme politike, fjala e të cilit ka peshë.

Po ashtu, për vete besoj se ky është premtim nga më cilësorët në këtë para-fushatë elektorale. Cilësor, për shkak se përfshin dicka më të madhe sesa interesi momental, egoist e partiak dhe për shkak se e kuptoj që ky premtim nuk mund të bjerë shumë vota- sidomos jo në klimën e propagandave banale populliste. Po ashtu, dua të besoj se këtë premtim të madh, në interes të forcimit të demokracisë në Kosovë, po qe se e merrni drejtimin politik të vendit, vërtet do ta zbatoni në vitin vijues.

Por, vazhdimi i postimit Tuaj, për mua, personalisht, është diskutabil.

Diskutabil, sepse jo vetëm PDK dhe kjo Qeveri, por edhe LDK, sikurse edhe AAK dhe, në një mënyre specifike, edhe Levizja Vetëvendosje me aktivistët e saj në media e OJQ, po ashtu kanë sa përgjegjësi e faje po aq edhe merita për gjendjen e RTK-së dhe për gjendjen në RTK.

Flas në radhë të parë për përpjekjet dhe presionet e pandërprera politike që RTK ose të kontrollohet në mënyre totale ose të pengohet e mbase edhe te pamundësohet në funksionimin normal.

Ju, si njeri i informuar mirë i politikës, besoj se e kuptoni për çfarë po flas dhe çfarë efektesh reale, jo vetëm mediatike por edhe politike, do të kishte suksesi evenual i këtyre përpjekjeve.

Sidoqoftë, ekspertiza e deritashme ndërkombëtare (EU, EBU, OSBE), që ka rëndësi vitale për Kosovën edhe në fushat tjera gjegjëse, konfirmon paanshmërinë thelbësore editoriale të Transmetuesit Publik.

Besoj se po ashtu, si njeri i politikës, e dini se këto vlerësim nuk kanë “pikur nga qielli” e as janë e nuk mund të jenë pjesë e konsipracioneve e intrigave tona lokale politike, por se është në radhë të parë rezulat i përballimit tonë të presioneve të përditshme, që vijnë nga të gjitha anët.

Ditëve në vijim, RTK do të përpiqet të përballojë intensitetin e presioneve, kërcënimeve e të shnatazheve që presim se do të shtohen në mënyre thujase të natyrshme për një vend në tranzicion.

Po ashtu, jam i bindur se e kuptoni qe parimi politik, i kthyer thuajse në në apori diskursive, se “kush nuk është me neve, është kundër nesh”, ka efekte helmuese dhe vërtet është në gjendje të rrënojë jo vetëm transmetuesin publik, por, si rezultat i fundëm, edhe ushtrinë, policinë, adminsitratën dhe, në fund, edhe cilëndo qeveri dhe cilindo shtet si strukturë demokratike.

Prandaj, ju ftoj që në diskutimin për gjendjen dhe zhvillimin e RTK-se, nëse do të vendosni ta mbani në agjendën e Juaj, të keni konsiderata për nevojën jetike të shoqërisë dhe të audiencës së Kosovës për mediumin publik, ku të gjithë kanë hapësirë për të shprehur, të papenguar, pikëpamjet dhe të vërtetat e veta, duke ia lënë audiencës- dhe jo gazetarëve e redaktorëve- gjykimin e fundëm.

RTK nuk është dhe, pa dalur nga binarët ligjor, kurrë nuk nuk mund të jetë kundërshtar politike i LDK-së, por as e PDK-së , AAK-së, Vetëvendosjes dhe të tjerëve.

Por, RTK nuk mund të kthehet as në aleate politike të askujt në zbatimin e agjendave partiake, në formën e censurës ose ndalesave për shprehjen e kontestimit dhe oponencës.

Unë e kuptoj se këto pohime të mia, për një pjesë jo të vogël të njerëzve tanë, jo vetëm jashtë RTK, mund të jetë hutuese, të paqarta dhe madje politikisht të dyshimta.

Por, për vete vazhdoj të besoj se është pohimi i vetëm që arsyeton pse duhet që populli i Kosovës të financojë televizionin e vet i cili, megjithë kufizimet e mëdha buxhetore, megjithë faktin se është i neglizhuar nga të gjitha qeveritë dhe opozitat e pasluftës, prapë vazhdon të jetë program televiziv i lirë nga diktati poltik qeveritar, opozitar ose biznesor dhe që vazhdon të jetë i hapur për të gjithë protagonistët e jetës publike si dhe për të gjitha komunitetet qe e konstituojnë Republikën tonë.

Këtë besoj se do ta dëshmojmë edhe në zgjedhjet që po vijnë!

Sidoqoftë, në fund, unë edhe një herë sinçerisht Ju falënderoj pse, përkundër pohimeve Tuaja diskutabile, që mbase duhet të merren në kontekstin e retorikave paralektorale, megjithatë keni gjetur fuqi dhe guxim qytetar e politik që të ngreni një çështje me rëndesi vitale për demokracinë dhe pluralizmin politik dhe etnik në vendin tonë.

Me respekt,

Mufail Limani

RTK, Drejtor i Televizionit

Previous article3.5 për qind e pagës për sigurime shëndetësore
Next articleGuardiola nuk e lëshon Martínezin