Home SPORT LK: Bayerni përballë Realit, Chelsea ndaj Atleticos

LK: Bayerni përballë Realit, Chelsea ndaj Atleticos

Kampioni në fuqi i garës evropiane, Bayern Munich, është caktuar të përballet me skuadrën spanjolle Real Madrid në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.

Reali do të jetë nikoqir i ndeshjes së parë që zhvillohet në Santiago Bernabeu, derisa ndeshja vendimtare do të zhvillohet në Allianz Arena.

Bayern Munich në çerekfinale eliminoi kampionin e Anglisë, Manchester United, ndërsa Real Madridi për pak sa nuk u befasua edhe këtë sezon nga Borussia Dortmund, dhe arriti të eliminojë gjermanët me shumë mund.

 

Shorti i hedhur sot në Nyon të Zvicër ka treguar edhe sfidën tjetër, që i bie të jetë Chelsea përballë Atletico Madridit.

Chelsea u kualifikua në gjysmëfinale duke eliminuar PSG, falë një goli të shënuar në udhëtim, ndërsa Atletico Madrid arrin në katërshen e fundit me plot meritë, pasi eliminoi njërin prej favoritëve të garës, Barcelonën.

Atletico Madrid do ta zhvillojë takimin e parë në shtëpi, Vicente Calderon, derisa ndeshja e kthimit dhe vendimtare do të zhvillohet në stadiumin e Chelseat, Stamford Bridge.

Ndeshjet e para të sfidave gjysmëfinale do të zhvillohen më 22 dhe 23 prill, ndërsa ato të kthimit një javë më pas, 29/30 prill.

Previous articleArrestohet Radovan Radic në Zubin Potok
Next articleEL: Benfica, pengesa e fundit e Juves për në finale