Luleradhiqja, jo vetëm në kuzhinë

Taraxacum officinale, është një nga lulet e egra që gjenden me shumicë fushave. Shpesh e nënvleftësuar ajo në të vërtetë ka cilësi të jashtëzakonshme.

Ndryshe e thënë është një mrekulli e natyrës që çel në pranverë. Duhet pastruar mëlçia, veshkat tona kanë nevojë për ndihmë, dhe këto mundësi na i dhuron natyra dhe i kemi mu poshtë syve tanë … luleradhiqet për shembull.

Bima e vetive diuretike, pastruese, mineralizuese (ka sasi të lartë kaliumi, veç hekurit, magnezit, kalciumit dhe të tjerave) dhe rivitaminizuese (falë përmbajtjes së lartë me vitamina A dhe C por edhe B e K)…

Kjo bimë na ndihmon të luftojmë dhimbjet e kokës, kolesterolin e lartë dhe nxit tretjen, transmeton Telegrafi.

Nëse planifikoni që t’i largoni helmet nga organizmi, atëherë kushtojini vëmendje luleradhiqes, sepse është ideale për një gjë të tillë. Për qëllime mjekuese përdoren të gjitha pjesët e bimës.

Rrënja e luleradhiqes e nxit djersitjen, i pastron organet e frymëmarrjes dhe gjakun, përmirëson energjinë, rregullon kolesterinën dhe shkrin shtresat dhjamore.

Kompresat nga çaji i luleradhiqes qetësojnë irritimet e lëkurës. Ato kanë ndikim antimikrobial dhe antiviral, dhe për këtë arsye janë të shkëlqyeshme për pakësimin e puçrrave në fytyrë, si dhe lehtësimin e pickimeve të insekteve. Ato rregullojnë nivelin e hormoneve ndërsa lëkurës i japin një shkëlqim natyral dhe butësi. Nuk është e domosdoshme që të vendosni kompresa të çajit të luleradhiqes, mjafton ta pini çajin çdo ditë. Pas disa javësh do ta vëreni reduktimin e puçrrave. Kompresat e çajit të luleradhiqes janë dëshmuar të suksesshme në zbutjen e simptomave të psoriazës, si kruajtja dhe qërimi i lëkurës.

Si t’ia marrim të mirat?
Përzini nga një lugë të gjetheve të thara, luleve dhe rrënjëve të prera imët të luleradhiqes, ua qitni një filxhan ujë të vluar, mbulojeni dhe e lini të qëndrojë 20 minuta, ndërsa më pas e filtroni. Personat e shëndetshëm mund të pinë tre filxhanë të këtij çaji, ndërsa shtatzënat, mëndeshat dhe ata që vuajnë nga diabeti vetëm një filxhan në ditë.