Në Maqedoni të dielën do të mbahen zgjedhjet presidenciale, ndërsa prej mesnatë në fuqi do të jetë heshtja zgjedhore.
Sipas Listës zyrtare të votuesve, 1.779.572 qytetarë me të drejtë vote të dielën më 13 prill do të votojnë për zgjedhjet e pesta presidenciale.
Heshtja zgjedhore do të jetë me të hyrë në ditën e shtune dhe do të zgjas deri të dielën në ora 19.00, kur mbyllen kutitë e votimit.
Dhe menjëherë me 14 prill vazhdon fushata e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare (e nisur më 5 prill), që do të mbahen më 27 prill.
Sipas të dhënave të KSHZ-së, 8332 votues janë regjistruar në listën e votuesve për të votuar në diasporë, gjegjësisht në përfaqësitë diplomatiko – konsulore të Maqedonisë.
Qytetarët në vend do të votojnë në 3.480 vendvotime në tërë vendin. Në këto zgjedhje janë shtuar 504 vendvotime, dhe ndryshimet janë bërë në përputhje me Kodin e ri zgjedhor, për shkak se në vendvotim nuk mund të jetë më shumë se me 1 mijë votues.
Ndërkohë nesër do të votojnë 1706 të burgosur, pjesëtarët e Armatës, të sëmurët dhe personat e paaftë, si dhe 39 refugjatë apo persona të zhvendosur brenda vendit.
Në garën për zgjedhjet presidenciale janë katër kandidatë: Iljaz Halimi nga PDSH, Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE, Stevo Pendarovski nga LSDM dhe Zoran Popovski nga GROM.