Home LAJME Masakër në një fshat në veri-lindje të Indisë

Masakër në një fshat në veri-lindje të Indisë

Rebelët separatistë në Indi vranë të paktën 10 persona në shtetin veri-lindor të Asamit. Autoritetet lokale njoftuan se katër fshatarë të tjerë u plagosën në dy sulme të kryera në rajonet Kokrajhar dhe Baksa, vonë gjatë së enjtes.

Policia fajësoi për sulmet organizatën Fronti Demokratik Kombëtar i Bodolendit, FDKB. FDKB dëshiron që grupet etnike të jetojnë në një shtet të pavarur jashtë Asamit.

Sulmet e së enjtes u kryen në zona të banuara nga njerëz që nuk i përkasin etnisë Bodo. Një oficer i policisë lokale tha për të dërguarin e BBC se, personat e vrarë i përkisnin minoritetit mysliman.

“Sulmi i parë u krye në një fshat të rajonit Baksa, në perëndim të shtetit të Asamit, ku rebelët vranë tre persona. Ndërsa i dyti në Kokrajhar, ku rebelët qëlluan me armë disa persona”, tha oficeri.

Mes viktimave janë gjashtë gra dhe dy fëmijë. Policia dhe ushtria kanë ndërmarrë një operacion për të ndaluar rebelët, por deri tani nuk ka pasur arrestime.

Ngjarja vjen në një kohë kur në Indi vazhdon procesi i zgjedhjeve të përgjithshme dhe kur grupet myslimane ndihen të kërcënuara pasi rebelët pretendojnë se ata nuk kanë mbështetur kandidatin e etnisë Bodo.

Në Kokrajhar, emigrantët myslimanë sulmohen rregullisht nga separatistët Bodo dhe në disa raste sulmet përshkallëzohen duke marrë përmasa të mëdha. Mbi 100 emigrantë u vranë në një sulm në Bansbari, një kamp i ngritur për myslimanët e zhvendosur në vitin 1993.

Banorët Bodo kanë një këshill autonom rajonal që kontrollohet nga partia e tyre, FDKB. Ata pretendojnë se myslimanët kanë marrë më shumë territor nga ç’u takon.

Previous articleNdarja territoriale, Fino propozon edhe referendumin
Next articleMourinho kërkon dy sulmues klasi