Mbetjet e Trepçës ngufatin banorët e Bakshisë në Obiliq [video]

20140303215322520646Obiliq, 3 mars – Për më shumë se 2 vjet banorët e fshatit Bakshi të komunës së Obiliqit po e pësojnë nga një deponi shumë afër shtëpive të tyre.

Ata thonë se u soll nga Trepça, e në të ka mbetje të plumbit dhe zinkut, shumë të dëmshme për ambientin dhe njeriun. Pretendojnë se ‘të fortët e shtetit’ qëndrojnë prapa atyre hektarëve me mbetje, meqenëse edhe komuna ishte dorëzuar për t’iu ndihmuar që ta largojnë nga aty. Kohavisioni merr vesh nga burime brenda Ministrisë së Ambientit se vendi nuk ka leje për deponi dhe ka padi në Gjykatë.

Leonati, 5-vjeçar, ka problem me mushkëritë, ndërkaq nga vizitat mjekësore i është thënë se kjo i është shkaktuar nga ky pluhur në këtë deponi afër shtëpisë së tij.

Vetëm 12 kilometra larg Prishtinës, në fshatin Bakshi të komunës së Obiliqit, ka më shumë se 2 vjet që është hedhur kjo mbetje, e cila po u shkakton probleme të shumta banorëve.

Ata që pranojnë të flasin tregojnë për frikën që kanë për ushqimin që e hanë nga kjo tokë, e të tjerët që nuk kanë dëshirë të thonë asgjë, sepse siç deklarojnë, ‘dikush i fortë qëndron prapa kësaj’.
Këto fotografi ata ua kishin dërguar edhe komunarëve të Obiliqit, por pa ndonjë veprim konkret.

Banorët tregojnë që vetë ish-kryetari i Obiliqit u kishte thënë që nuk ka mundësi të bëjë asgjë dhe se kjo është kompetencë e qeverisjes qendrore.

Ata kanë kërkesë edhe për ministrin e Ambientit, Dardan Gashi.
Mbetje e Trepçës, që janë kryesisht të plumbit e zinkut, janë shumë të rrezikshme për ambientin dhe njeriun.

Por, çka në të vërtetë dhe si shkaktohet dëmi nga mbetjet e këtyre dy metaleve të rënda?

KTV-ja ka mësuar nga burime brenda Ministrisë së Ambientit se ky vend nuk ka fare leje për deponi të asnjë lloji, ndërkaq për këtë ka edhe një padi në Gjykatë.