Vendimi i Këshillit Drejtues në Universitetin e Prishtinës për kufizimin e numrit të bursave në njëmijë, i ka përjashtuar më shumë se 400 studentë të cilët i kanë plotësuar kriteret për përfitimin e bursës.
Po ashtu, këtë benificion ende nuk e kanë gëzuar as ata të cilët janë futur në listën e bursistëve nga Këshilli Drejtues i UP-së, vonesa për të cilat nuk është dhënë asnjë sqarim.
Për këto shqetësime, Parlamenti i Studentëve të UP-së ka deklaruar se do të organizojnë edhe protesta.
“Në koordinim do t’i shtjerrim të gjitha rrugët paqësore që ta aprovojmë një zgjidhje. Nëse jo atëherë e fundit mbetet si element protesta”, ka thënë kryetari i Parlamentit të Studentëve në UP, Irfan Veseli.
Veseli është shprehur se nëse bursat do të kufizoheshin, studentët është dashtë të njoftohen një vit më parë.
“Problemi më shqetësues i këtyre ditëve është se bursat e studentëve janë kufizuar në 1000 në tërë universitetin, do të thotë përfitues të bursave do të jenë 1000 studentë gjë e cila nuk ka qenë më herët dhe edhe po të ndodhte kjo është dashtë që Këshilli Drejtues i UP-së të marrë vendimin një vit përpara dhe jo papritmas kështu që studentëve i bie që të mos jenë përfitues të gjithë ata të cilët e kanë notën mbi 9, kjo është specifike për shkak se në 90 për qind të njësive akademike është nota 9 ndërsa në disa fakultete të shkencave ekzakte nota është mbi 8”, ka thënë ai, raporton KP.
Veseli u ka bërë thirrje MASHT-it dhe Rektoratit që të ndikojnë në këtë vendim dhe ta gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë studentët, në të kundërtën kanë thënë se do të marrin masa tjera.
Mirëpo, sekretari i Përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi, ka thënë përmes telefonit për Kosovapress-in se numri i bursave është kufizuar me kërkesën e studentëve, pasi sipas tij, studentët kanë kërkuar që të mos ulet çmimi i bursës, por të mbetet 900 euro.
“Këshilli Drejtues i UP-së çdo vit e cakton numrin e bursave për studentë. Mirëpo, këtë vit studentët kanë kërkuar që të mos ulet shuma e bursës, pra të mbetet 900 euro, gjë që na ka kufizuar numrin e studentëve sepse UP e ka buxhetin e ndarë për bursa. Ne kemi kërkuar që të përfitojnë të gjithë studentët që i plotësojnë kriteret por të ulet shuma e bursës, por studentët nuk e kanë pranuar një gjë të tillë, andaj jemi detyruar që ta kufizojmë numrin e bursës”, ka thënë sekretari i UP-së, Esat Kelmendi.
Megjithatë, ai nuk ka mundur të thotë se kur të hollat e bursave do të ekzekutohen në kontot e studentëve për shkak të mungesës së buxhetit të UP-së.
Ndërsa, një nga bursistet e UP-së, Medina Mehmeti nga Fakulteti i Filologjisë, ka thënë për KosovaPress se as Rektorati e as fakulteti ku ajo studion nuk i kanë njoftuar studentët asgjë lidhur me vonesat e bursave, e as me vendimin për kufizimin e tyre.