Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot në një takim ambasadorin e ri të Mongolisë në Shqipëri, Shijeekhuu Odonbaatar. Kryeparlamentari e uroi ambasadorin për paraqitjen e letrave kredenciale dhe shprehu vullnetin për intensifikimin e kontakteve ndërmjet Parlamenteve të dy vendeve.
Meta shprehu interesin për të çuar më tej marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Mongolisë, dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në nivelin politik dhe atë ekonomik.
Nga ana e tij ambasadori i Mongolisë shprehu kënaqësinë për marrjen e letrave kredenciale dhe u shpreh se qeveria e vendit të tij ka vullnetin e mirë për të zgjeruar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori Odonbaatar tha se Mongolia i është mirënjohëse Shqipërisë, pasi ka qenë një prej vendeve të para që njohu Mongolinë si shtet më vete. Duke qenë se ky vit përkon me 65 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, Odonbaatar tha se ky duhet të jetë viti i thellimit të marrëdhënieve politike dhe shkëmbimeve ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Mongolisë.
Në fund kreu i Parlamentit Meta i kërkoi ambasadorit mongolez që të njohë pavarësinë e Kosovës, pasi ky akt do të jetë një akt kontribuues në drejtim të forcimit të stabilitetit të rajonit.