Përkeqësimi i motit ka shkaktuar rreth 60 prishje në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike në tërë territorin e vendit.
Disa rajone kanë mungesë të energjisë elektrike që nga mbrëmë, ndërsa epiket e KEDS-it ndodhen në terren dhe po bëjnë përpjekje që të mënjanojnë së më parë këto defekte.
Banorët e Podujevës dhe ata të Drenasit, kanë raportuar se që nga mbrëmë nuk kanë energji elektrike si pasojë e rrëzimit të shtyllave elektrike nga moti i ligë.
Ndërsa Guri Shkodra, zyrtar për informim në KEDS, ka thënë se, menjëherë pas pranimit të informacionit për prishje të rrjetit, punëtorët e KEDS kanë dal në terren dhe me përkushtimin më të madh po e sanojnë secilën prishje.
Ai ka thënë se për këtë KEDS ka angazhuar edhe ekipe shtesë vetëm e vetëm të sanohen sa më parë këto prishje.
Ai ka kërkuar ndjesë ndaj konsumatorëve për këtë situatë të rënduar dhe i siguron ata që KEDS po bën maksimumin që të ofrojë shërbime sa më kualitative.
Sipas Shkodrës, përveç dëmeve të shkaktuara në rrjetin shpërndarës të energjisë, probleme ka edhe në blloqet të cilat prodhojnë energji.
Ai tha se momentalisht blloku B1 dhe B2 janë jashtë funksioni. B1 pritet të futet në funksionon sonte pasmesnate, ndërsa B2 gati që një javë ka shkuar në remont të paplanifikuar.