Home LAJME Mustafa: Gjykatën më mirë ta themelojmë ne se sa OKB-ja

Mustafa: Gjykatën më mirë ta themelojmë ne se sa OKB-ja

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se themelimi i Gjykatës Speciale, nuk ka pasur hapësirë që të negociohet, pasi kanë qenë vetëm dy alternativa, ta themeloj Kuvendi i Kosovës ose ta themeloj Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

E, duke mos pasur hapësirë për negocim, Mustafa tha se janë përcaktuar që ta themeloj Kuvendi dhe shpreson se deputetët do të votojnë pro saj.

Ndërsa, për EULEX-in, thotë se Kosova ende ka nevojë për ndihmën e këtij misioni.

Kurse, për shpërbërjen e Kuvendit, Mustafa tha se nuk pret të ndodh këtë javë, por vetëm të merren vesh për shpërbërjen e tij, pas votimit të disa çështjeve me rëndësi.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se janë përcaktuar ta themelojnë Gjykatën Speciale duke e votuar në Kuvendin e Kosovës, e jo ti lihet Këshilli i Sigurimit të OKB-së, me propozimin e Rusisë, pasi do të ishte e vështirë zhbërja e saj, duke qenë se do duhej prapë një rezolutë tjetër, që vështirë do ta lejonte Rusia e Kina.

“Çështja e gjykatës, është vënë si çështje e cila nuk negociohet shumë, si qeshje ose që ta bëjë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me propozim të Rusisë, ose të bëhet në Kuvendin e Kosovës. Nëse bëhet në KS të OKB-së ajo bëhet me një rezolutë dhe pastaj shtrohet pyetja se prapë duhet një rezolutë tjetër për ta zhbërë dhe ajo rezolutë vështirë se do të aprovohej, sepse prapë do të shprehej Rusia, Kina dhe vendet e tjera. Dhe, ne jemi përcaktuar që më mirë ta marrim ne përgjegjësinë dhe ta themeloj Kuvendi jonë dhe unë jam i bindur se edhe përkundër asaj që nuk na pëlqen prapë, më mirë ta bëjmë ne, se sa KS dhe ne nesër duhet dhe besoj se do të votohet nga Kuvendi”, tha Mustafa.

Ndërsa, duke folur rreth zgjatjes së mandatit të EULEX-it, lideri i partisë më të madhe opozitare tha se ai do ta përkrahte që ta kenë një gjyqësi të aftë, një prokurori të përgatitur mirë, një polici të përgatitur mirë, që të mos kenë nevojë që të vjen një organ i BE-së, që të ndaj drejtësinë në Kosovë, por sipas tij, derisa kanë akoma dobësi në këtë fazë të tranzicionit, EULEX-i do t’iu shërbej edhe me tutje.

“Ne mendojmë se për EULEX-in nuk ka nevojë të ketë kundërshtime, sepse EULEX-i e ka bërë një pjesë të mirë të punës, veçmas në atë pjesë në të cilën organet vendore të gjyqësisë, prokurorisë nuk kanë qenë në gjendje t’i procedojnë, çështjet me gjatë dhe më konkrete. Ne do ë dëshironim që të kemi organe të gjyqësisë dhe prokurorisë tonat të afta, që të mos kemi nevojë të jetë edhe EULEX-i këtu”, theksoi me tutje ai.

Mirëpo, edhe pse të shtunën Mustafa deklaroi se këtë javë do të shpërbëhet Kuvend i, tani Mustafa thotë se nuk pret që të ndodh ajo, por vetëm të merren vesh me subjektet tjera politike, që ajo të ndodh menjëherë pas miratimit në Kuvend të zgjatjes së mandatit të EULEX-it, Gjykatës Speciale dhe themelimit të FAK-ut.

“Gjatë kësaj jave unë nuk pres që mund të ketë, ose nuk mund të premtoj që do të ketë. Gjatë kësaj jave është me rëndësi vetëm të merremi vesh për shpërbërje, sepse është periudha shumë e ngushtë, të mërkurën është një mbledhje e Kuvendit, pastaj të mblidhet kryesia të caktoj seancën tjetër të Kuvendit, por me rëndësi është se kësaj jave të bihet vendimi edhe pajtimi i subjekteve politike për shpërbërje”, tha Mustafa.

Derisa, rreth mbajtjes së zgjedhjeve në fund të majit ose fillim të qershorit, Mustafa tha se ai shpreson të mbahen ashtu siç është premtuar, në qershor, e jo të shtyhen për në shtator, pasi sipas tij, do të ishte një zhgënjim i madh për qytetarët.

“Unë shpresoj që partitë dhe individët që kanë premtuar që zgjedhjet dot ë mbahen në qershor do t’i përmbahen kësaj sepse do të ishte një zhgënjim shumë i madh që njerëzit mos t’i përmbahen premtimeve dhe qëndrimeve sepse mandej s’mund t’i besohej askujt. Në shtator s’mund të mbahen zgjedhjet për shkak se janë dy muaj pushim dhe kemi vështirë që nga pushimi të aterojmë në zgjedhje”, tha Mustafa.

Lideri i LDK-së tha se arsye tjetër pse duhet të mbahen zgjedhjet tani është se ky Kuvend, aktualisht nuk e ka shumicën.

Kreu i LDK-së, Mustafa këto komente i ka bërë në një ligjëratë që ka mbajtur në Kolegjin ‘Pjetër Budi’, ku edhe ka shpalosur programin e partisë së tij, për një mandat të ardhshëm katër vjeçar.

Sipas tij,programi i LDK-së bazohet në katër shtylla, zhvillim ekonomik, forcim të rendit dhe ligjit, reforma në arsim dhe shëndetësi dhe integrime evropiane.

Ndërsa i pyetur nga studentët se a mund të jetë Donika Gërvalla në listën e LDK-së për deputete, Mustafa tha se nëse ka një propozim, ajo mund të jetë dhe duhet të jetë, por ende nuk e kanë bërë listën dhe nuk kanë propozim.

Previous articleKPM mund të mos e përfillë vendimin për shkurtim të buxhetit
Next articleMachiato Band: S’ka më bashkëpunime