Mustafa: I anashkaluar dhe pa „strehe“, prandaj u largova

Qemajl Mustafa, ish kryetari i komunës së Gjilanit, ka dhënë dorëheqje nga Kryesia e degës së Partisë Demokratike në Gjilan.

Shumë arsye e kanë shtyrë Mustafën që të heq dorë nga kjo pozitë, ndërsa për KosovaPress, ai ka rrëfyer për largimin e tij.

Sipas Mustafës, partia nuk po sillet si një familje e mirë e cila i jep mundësi, e shpërblen dhe e ndihmon por edhe mbron anëtarin e saj (bazuar gjithnjë në parimet e miratuara nga forumet e saj).

“Asnjëherë nuk jam ndier më i anashkaluar dhe pa ‘strehë’ se sa prej një dhjetorit të vitit 2013 kur përfundimisht i humbëm zgjedhjet në Gjilan”, ka thënë ai.

Mustafa thotë se që nga ajo datë, as nga kryesia e Gjilanit por as nga ajo e qendrës së PDK-së, nuk e kishin kontaktuar për asgjë.

E kur flet për humbjen e tij të f undit, Mustafa thotë që nuk i kishin lënë mundësi t’i arsyetohej degës kryesore apo edhe të bëjë analizë rreth humbjes së tij.

Thotë se analizën e tij, e penguan qëllimshëm disa individë të caktuar edhe pse kjo përgjegjësi ishte kërkuar nga ai dhe kryetari i degës, Izmi Zeka. Fajet ja hedhë edhe këtij të fundit për të cilin thotë se po heshtë për kohë të gjatë dhe nuk po e bënë punën e vet as në dhënien e llogarisë po as në udhëheqjen si duhet të degës.

“Për t’i liruar nga hendikepët disa nga anëtarët e kësaj kryesie të cilët nuk e ndjenin vetën komod me prezencën time dhe të ndonjë tjetri në kryesi pasi që ne ishim degë plotësisht e polarizuar që nga zgjedhjet e fundit në parti”, ka thënë Mustafa për KosovaPress.

E po ashtu Mustafa thotë se njëra ndër arsyet që ai është larguar, ka të bëjë edhe me lëshimin e rrugëve që t’i mundësojë partisë të hartojë planin për rikonsolidim të degës së PDK-së në Gjilan, duke e ndjerë vetën si bllokim të partisë.

Të njëjtin sugjerim, Mustafa i ka dhënë edhe Izmi Zekës, kryetarit aktual të degës së PDK-së në Gjilan.

“Pas këtij akti unë pres reagim të natyrshëm dhe të sinqertë të kreut të degës Izmi Zekës i cili sipas mendjes time nuk ka rrugë tjetër përveç se të tërhiqet nga kryesimi i saj dhe pres gjithashtu një qasje të urtë e serioze para se gjithash të anëtarëve të kryesisë dhe të këshillit të degës bashkë me kreun e partisë Hashim Thaçin”, ka thënë tutje Mustafa.